52 vendime, asnjë penalitet - Autoriteti i Konkurrencës ripërsërit: Sistemi bankar i monopolizuar
03/04/2017 - 14:47 Nga: Pranvera Bozhiqi

Në raportimin për vitin 2016 të monitorimeve dhe hetimit nga Autoriteti i Konkurrencës, ripërsëritet se në sistemin bankar është vënë re një monopolizim i tregut. Ndërsa drejtorja Juliana Latifi tha se autoriteti ka marrë 52 vendime, por sikurse ka ndodhur edhe me parë, gjykatat kanë zvarritur ekzekutimin e tyre. Ndër rekomandimet e lëna për 7 tregjet për 2017, kërkohet edhe që kolaudimi i mjeteve të bëhet edhe nga operatorë të tjerë në treg. Në fokus të monitorimit do të jetë tregu i karburanteve, sigurimit motorik, farmaceutik, bankave dhe prokurimeve e koncesioneve.

Edhe pse Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko mohoi se në sistemin bankar të ketë monopolizim, Autoriteti i Konkurrencës ripërsërit qendrimin e saj kundër.

Gjatë raportimit të bërë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financës, relatori i raportit për vitin 2016, Ervin Bushati, veçoi se:

Ervin Bushati: Konkurrenca në sektorin bankar është në kushtet e konkurrencës monopolistike por Komisioni i Knkurrencës është në proçes konsultimi dhe ende nuk është shprehur me vendim.

Ndërsa Drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës, Juliana Latifi, shpjegoi se për 52 vendime të dhënë nga ky institucion pas hetimeve gjatë gjithë vitit, nuk ka pasur asnjë penalitet.

Juliana Latifi: 52 vendime janë dhënë nga Autoriteti i Konkurrencës gjatë 2016, përkatësisht nga Komisioni i Konkurrencës kundrejt të cilit është ushtruar e drejta e ankimit vetëm për një vendim.

Sistemi gjyqësor dhe dhënia e koncesioneve janë dy sektorë për të cilat kërkohet ndërhyrje, sipas autoritetit.

Ndër rekomandimet që vijnë në konkurrenca për vitin 2017, veçohet ai për Ministrinë e Transporteve për mundësinë kryerjes së kolaudimit edhe nga operatorë të tjerë.

Ndërsa shqetësim mbetet mosrespektimi i detyrimit ligjor nga institucionet për të marrë vlerësimin e autoritetit për vendimarrje të ndryshme.

Ervin Bushati: Gjatë 2016, për të dytin vit rradhazi nuk është marrë asnjë vendim me vendosje gjobe, vonesat e gjata në proçeset e rishikimit gjyqësor kanë zbehur efektin në treg të vendimit të Komisionit të Konkurrencës dhe si rrjedhojë gjoba e ka humbur funksionin e saj si instrument ndëshkues. Nga shqyrtimi dhe vlerësimi ka rezultuar se gjatë procedurës për dhënien e koncesioneve nuk respektohet gjithmonë detyrimi për të marrë vlerësimin e Autoritetit gjatë procedurës së dhënies së të drejtave ekskluzive.

Shqetësim mbetet fakti se vendime të Autoritetit të Konkurrencës vijojnë të zvarriten nëpër gjykata pa u bërë ekzekutimi i tyre.

Në 10 vitet e fundit, autoriteti ka vendosur gjoba me vlerë 10 mln euro, ndërsa vetëm një e katërta e tyre janë arkëtuar.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close