Konferenca - Ahmetaj: S’ka rritje ekonomike pa drejtësinë. Komenton dhe çadrën
04/04/2017 - 12:40

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, tha se reforma në drejtësi po mban peng edhe zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tij pa këtë reformë kyçe në vend nuk do mund të kemi rritje ekonomike.

Ahmetaj: Pa reformën në drejtësi nuk do të kemi dot rritje ekonomike, nuk do kemi dot atë shtet që duam, nuk do kemi dot rritje të mirëqënies. Kushdo që pengon reformën në drejtësi i ka dalë përballë qytetarit shqiptar duke e penguar atë për punësim, duke e penguar familjen e tij për mirëqënie dhe duke i vënë stërkëmbëshin një shteti që do të ishte shtet i drejtë në favor të qytetarit.

Për këtë arsye theksoi ai, PS dhe aleanca qeverisëse do vazhdojnë të insistojnë për finalizimin e reformës në drejtësi.

Ahmetaj: Politika shpesh herë furnizon me më shumë besim aktorët ekonomikë ose bën akte politike ose parapolitike për të rrëzuar besimin dhe rritjen në disfavor të vendit, sipërmarrjes dhe qytetarit. Ne, PS, qeveria e aleancës nëse do, ne ngulim këmbë për reformën në drejtësi dhe do të vazhdojmë të ngulim këmbë për reformën në drejtësi sepse reforma në drejtësi e çon Shqipërinë në nivelin tjetër drejt BE dhe besimin e qytetarëve në një nivel akoma më të lartë tek institucionet, ekonomia, politika, gjykatat, prokuroria.

I pyetur mbi risqet që i kanosen ekonomisë nga situata aktuale politike, ai u shpreh:

Ahmetaj: Çdo situatë artificiale politike apo nëse do dhe e vërtetë, po në rastin konkret artificiale, patjetër që e cënon rritjen ekonomike. Ajo që ndodh tek çadra që fatmirësisht është e izoluar tek çadra, sërish e dëmton imazhin e Shqipërisë, besimin e aktorëve ekonomikë tek ekonomia dhe vetëm këtë bën. Cënon rritjen ekonomike, mirëqënien dhe punësimin, nuk diskutohet. Unë si çdo i gjallë dhe i vdekshëm do bëja lapsus por në rastin konkret nuk kam bërë lapsus, PS do të ketë një mandat të dytë e më tej dhe aleanca do të ketë një mandat të dytë dhe më tej. Përpjekjet brenda aleancës për përgatitje sa më transparente për të shkuar drejt zgjedhjeve të 18 qershorit, për të afruar dhe qetësuar të gjithë aktorët politikë të agravuar artificialisht apo të trembur nga rezultati është e mirëseardhur.

Sa i takon kërkesave të biznesit për ulje taksash, Ministri i Financave tha:

Ahmetaj: Është legjitime që sipërmarrja në vazhdimësi të kërkojë ulje taksash. Ne ulëm taksat për 97% të shqiptarëve, bëmë zero taksën për biznesin e vogël, tani po ja dalim me uljen e borxhit, rritëm pagat me një rekord 100 milion dollarë dhe pensionet.Aq nuk është bërë kurrë në një vit të vetëm brenda një buxheti të vetëm, futëm në skemën e rimbursimit të ilaçeve 600 mijë shqiptarë të pasiguruar, sot nuk ka shqiptarë që num përfiton nga rimbursimi. Të gjitha kanë nevojë për një balancë të shëndetshme makroekonomike.Kur të kemi kohën për të diskutuar se çfarë do të bëjmë me sistemin e taksave ju të dytët do ta merrni vesh.

Rruga e Arbrit duket se do të hyjë si premtim fushate edhe në këto zgjedhje parlamentare. Ministri tha se ky projekt është në një proçes të avancuar.

Ahmetaj: Rruga e Arbrit është në proçes të avancuar, ka përfunduar vlerësimi i ofertës së pakërkuar. Komisioni ndërinstitucional në Ministrinë e Transportit ka përfunduar vlerësimin dhe dje Ministria e Financave ka dhënë përgjigjen për futjen e investimit në buxhetin afatmesëm, planifikimin në ardhshmërinë e buxhetit, ka dhënë një përgjigje në parim që do të thotë që i hapet rruga për vendimarrje për bonus për projektin, ofertën e pakërkuar që është ofruar nga kompania. Besoj që në fund të majit apo fillim të qershorit do të kemi një fitues. Besoj. Do ketë një domosdoshmëri kohore për të negociuar kontratën që besoj se shkon maksimumi në 2 muaj. Këto nuk janë taksative, mund të jenë më pak ose më shumë, varet nga teknikalitetet që dalin rrugës, besoj se qarku i Dibrës do të ketë një kantierët më të mëdhenj në Shqipëri shumë shpejt.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Australi, kapet krokodili gjigant

Close