Performanca e ekonomisë - Ahmetaj: Në maj, shpallet kompania fituese për Rrugën e Arbrit
04/04/2017 - 14:10 Nga: Pranvera Bozhiqi

Në fund të majit do të shpallet kompania fituese për Rrugën e Arbërit. Ministri i Financave Arben Ahmetaj bëri me dije se qeveria dhe Ministria e Financave ka dhënë miratimin për nisjen e procesit të vendimarrjes dhe negociimin e kontratës me koncesionarin që do të zgjidhet. Ahmetaj gjatë daljes për performancën ekonomike në këto tre muaj tha se situata politike po kthehet kundër rritjes ekonomike dhe mirëqenies së familjeve shqiptare. Ndërsa ka lajmëuar se për dy javë do të vendoset nga qeveria niveli i rritjes së pagës minimale.

Në fund të majit do të shpallet fituesi për Rrugën e Arbërit dhe ky projekt ka hyrë në një proces të avancuar.

Kështu u shpreh Ministri i Financave Arben Ahmetaj, në daljen e tij publike për performancën e ekonomisë në tremujorin e parë të 2017.

Ahmetaj: Rruga e Arbrit është në proçes të avancuar, ka përfunduar vlerësimi i ofertës së pakërkuar. Komisioni ndërinstitucional në Ministrinë e Transportit ka përfunduar vlerësimin dhe dje Ministria e Financave ka dhënë përgjigjen për futjen e investimit në buxhetin afatmesëm, planifikimin në ardhshmërinë e buxhetit, ka dhënë një përgjigje në parim që do të thotë që i hapet rruga për vendimarrje për bonus për projektin, ofertën e pakërkuar që është ofruar nga kompania. Besoj që në fund të majit apo fillim të qershorit do të kemi një fitues. Besoj. Do ketë një domosdoshmëri kohore për të negociuar kontratën që besoj se shkon maksimumi në 2 muaj. Këto nuk janë taksative, mund të jenë më pak ose më shumë, varet nga teknikalitetet që dalin rrugës, besoj se qarku i Dibrës do të ketë një kantierët më të mëdhenj në Shqipëri shumë shpejt.

Ajo që po ndodh në çadër po dëmton besimin dhe besimin e aktorëve ekonomikë, tha Ministri i Financave.

Sipas Ahmetaj, situata politike po kthehet kundër rritjes ekonomike të vendit.

Ahmetaj: Çdo situatë artificiale politike apo nëse do dhe e vërtetë, po në rastin konkret artificiale, patjetër që e cënon rritjen ekonomike. Ajo që ndodh tek çadra që fatmirësisht është e izoluar tek çadra, sërish e dëmton imazhin e Shqipërisë, besimin e aktorëve ekonomikë tek ekonomia dhe vetëm këtë bën. Cënon rritjen ekonomike, mirëqënien dhe punësimin, nuk diskutohet. Unë si çdo i gjallë dhe i vdekshëm do bëja lapsus por në rastin konkret nuk kam bërë lapsus, PS do të ketë një mandat të dytë e më tej dhe aleanca do të ketë një mandat të dytë dhe më tej. Përpjekjet brenda aleancës për përgatitje sa më transparente për të shkuar drejt zgjedhjeve të 18 qershorit, për të afruar dhe qetësuar të gjithë aktorët politikë të agravuar artificialisht apo të trembur nga rezultati është e mirëseardhur.

Deeuroizimi është një domosdoshmëri thotë Ahmetaj, ndërsa qeveria do të bëhet pjesë e planit të BSH për implementimin e tyre.

Ministri Financave ka lajmëruar se brenda dy javëve do të vendoset nga qeveria për nivelin e rritjes së pagës minimale.

Ndërsa ka bërë publik treguesit e performancës së ekonomisë në tremujorin e parë të 2017, Ahmetaj tha se besimi i bankave në sipërmarrje nuk është reflektuar në rritjen e kredisë, ndërsa gjithçka është e lidhur pazgjidhshmërisht me reformën në drejtësi.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Australi, kapet krokodili gjigant

Close