Zhvillimet në Egjipt, Ban Ki-moon i alarmuar

Zhvillimet në Egjipt, Ban Ki-moon i alarmuar

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, është shprehur i alarmuar për trazirat në Egjipt, pas një dite tjetër përleshjesh me armë zjarri kur forcat e sigurisë bastisën një xhami në Kairo pas shkëmbimit të zjarrit me protestuesit.

Në një deklaratë të dhënë mbrëmjen e djeshme, Ban Ki-moon bëri thirrje për t’u dhënë fund protestave të dhunshme dhe u shpreh se është përdorur forcë e tepruar në përgjigje të tyre. Ai tha se parandalimi i vdekjeve të tjera duhet të jetë përparësia kryesore e egjiptianëve në këtë moment.

Komentet e Sekretarit të Përgjithshëm, bëhen pas trazirave të djeshme kur një përleshje e armatosur mes forcave egjiptiane të sigurisë dhe luftëtarëve të Vëllazërisë Myslimane të strehuar në një xhami në Kairo, u mbyll me një përfundim paqësor dje, pasi autoritetet u futën në xhami dhe arrestuan disa nga protestuesit, ndërsa lejuan të tjerët të largohen. Ky incident u zhvillua në një kohë që pati goditje sporadike me armë zjarri nga snajperët e Vëllazërisë Myslimane nga minareja e xhamisë.

Të shtëna armësh mbushnin ajrin dje pasdite, kur forcat e sigurimit po shkëmbenin zjarr me snajperët që kishin hipur në minarenë e xhamisë al-Fatah. Snajperët u kapën pasi u mbaroi municioni dhe përkrahësit e Vëllazërisë Myslimane që ishin strehuar në xhami u dorëzuan disa orë më pas.

Vëllazëria ishte përpjekur të organizonte protesta të reja kundër qeverisë së përkohëshme në xhaminë e cila ndodhet pranë sheshit Ramses. Televizioni al-Jazeera kishte transmetuar mesazhe që u bënin thirrje egjiptianëve të shkonin në xhami për të mbrojtur ata që ndodheshin brenda.

Disa udhëheqës të lartë të Vëllazërisë mendohet se ishin brenda në xhami. Media arabe njoftoi se i biri i një udhëheqësi të organizatës, Mohamed Badie, u vra në përleshje pranë xhamisë të Premten.

Kryeministri i përkohëshëm i Egjiptit, Hazem el-Beblawi, tha se qeveria e re do të punojë deri në frymën e fundit për të gjetur një zgjidhje demokratike për krizën, por jo me ata që përdorin mjete të dhunshme.

“Puna jonë është të përparojmë drejt një sistemi demokratik me një kushtetutë konsensuale, me zgjedhje të lira. Por nuk do të ketë ripajtim me ata që kanë qëlluar kundër shtetit”, u shpreh Hazem el-Beblawi.

Edhe zëdhënësi presidencial Mostafa Hegazy ka bërë gjithashtu komente të ngjashme:

Hegazy tha në një konferencë për shtyp se Egjipti përballet me një luftë që terroristët kanë ndërmarrë kundër shtetit në qytete dhe në gadishullin e Sinait. Zoti Hegazy tha se synimi i tyre është të paralizojnë Egjiptin dhe ta kthejnë në një shtet të dështuar, në gjendje të mjerë.

Ai këmbënguli se djegia e kishave, xhamive, shkollave, muzeumeve, dyqaneve dhe ndërtesave qeveritare nuk ishte mënyrë paqësore proteste, por vepër penale terroriste.

Një zëdhënës për qeverinë e përkohëshme të Egjiptit, Shareef Shawki tha në komentet për shtyp se qeveria po përpiqet të gjejë mënyra ligjore për të eliminuar Vëllazërinë Myslimane si parti politike, pasi udhëheqja e saj nuk pranoi ofertat për dialog politik dhe nxiti përkrahësit e saj të sulmonin prona private e publike në shenjë revolte.

Shawki tha se qeveria do të përdorte grushtin e hekurt kundër akteve të dhunës:

Ai thotë se ngjarjet e fundit nuk mund të cilësohen si veprime paqësore, por shtoi se pavarësisht nga dhuna, policia është përpjekur të tregohet shumë e matur dhe të negociojë me protestuesit për të shmangur gjakderdhjen.

Zyrtarët e Vëllazërisë Myslimane këmbëngulën se do të zhvillonin protesta të tjera dje, por tubimet nuk tërhoqën turma të mëdha. Vëllazëria sinjalizoi të premten se do të vazhdonte “të Premten e revoltës” gjatë gjithë javës.

EMISIONET