Akt terrorist në Paris - Mjeti i mbushur me armë dhe bombola gazi përplas furgonin e policisë
19/06/2017 - 17:29

Kryeqyteti francez përjetoi orë ankthi, teksa një person me një veturë u përplas qëllimisht me një furgon të policisë në shëtitoren Champs Elysees në Paris.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 15:48 të pasdites sipas orës lokale në rrethrrotullimin e Champs-Elysees në Paris, shumë pranë pallatit presidencial ku jeton Emmanuel Macron.

Mjeti tip  Renault Megane i mbushur plot me armë kallashnikov dhe pistoleta si dhe bombola gazi u përplas me furgonin e policisë dhe shpërtheu në flakë.

Policia bëri të mundur nxjerrjen jashtë të agresorit para se mjeti të shpërthente. Në një video të publikuar shihet sesi një polic e zhvesh për ta kontrolluar nëse kishte eksploziv në trup. Për shkak të plagëve të rënda, autori i sulmit, ndërroi jetë në spital.

Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, 31 vjeçari është një ekstremist i njohur nga autoritetet në Francë. Fatmirësisht  nga sulmi nuk pati të lënduar të tjerë, ndërsa motivi mbetet ende i panjohur.

Policia kundër terrorizmit ka nisur një hetim, ndërsa e gjithë zona u bllokua.

Specialistët e anti-terrorit konfirmuan se kishin hapur një hetim mbi sulmin kamikaz.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb, e quajti incidentin një sulm të qëllimshëm: “Forcat e sigurisë në Francë kanë qenë në shënjestër edhe herë të tjera”.

Policia ka mbyllur dy nga stacionet e metrosë në Champs-Elysees, rrugë me famë botërore e mbushur me dyqane dhe kinema, një nga atraksionet kryesore të turizmit.

Sulmi në Paris vjen disa orë pas atij në Londër, ku një furgon përplasi një grup besimtarësh myslimanë të cilët sapo kishin dalë nga xhamia.



 /Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close