Pretendimet e SHBA - Ukraina mohon të ketë furnizuar Korenë e Veriut me teknologji raketash
16/08/2017 - 18:38

Zyrtarët në Ukrainë e mohuan shpejt dhe me forcë, pretendimin se një uzinë armësh në vend, mund të ketë furnizuar me teknologjinë për prodhimin e motorëve të përdorur në raketat e Koresë së Veriut. Shërbimi ukrainas i “Zërit të Amerikës” intervistoi ekspertin që ngriti pretendimin Michael Elleman, komentet e të cilit, u botuan së pari në një artikull të gazetës “New York Times”. Por eksperti bënte të ditur se burimi mund të kishte qenë edhe Rusia. Ukraina është angazhuar të bëjë gjithçka për të shuar pretendimet se ka gisht në armatosjen e Koresë së Veriut.

Zyrtarët dhe ekspertët ukrainas i mohuan menjëherë akuzat se një uzinë armësh e epokës sovjetike ishte burimi i mundshëm për teknologjinë e motorëve të përdorur në raketat e Koresë së Veriut.

“Është thjesht e pamundur furnizimi duke anashkaluar procedurat e eksportit. E mundur është që Koreja e Veriut të ketë marrë motorët e mbetur pas çmontimit të raketave në Rusi. Kjo mund të jetë e mundur”, – thotë Mykola Sunhurovskyi i Qendrës “Razumkov”

Autori i një raporti hetimor cituar nga gazeta “New York Times” thotë se Pheniani siguroi ndoshta ndihmë të paligjshme nga brenda Ukrainës, por pranon se ndihma mund të ketë ardhur nga Rusia gjithashtu.

Ka shumë paqartësi se si është bërë transferimi saktësisht. Por, mendoj se gjasat janë që burimi të jetë ose në Rusi ose në Ukrainë “, thotë Michael Elleman i Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Të tjerë ekspertë argumentojnë se Koreja e Veriut është e aftë t’i ndërtojë vetë motorët, pa patur nevojë për ndihmë. Por të gjithë pajtohen se është një ide e mirë vendimi i autoriteteve në Ukrainë për të hetuar lidhur me këtë çështje.

Propozimi i Ukrainës për një hetim të tillë duhet t’i japë fund sulmeve të vazhdueshme ndaj vendin tonë, nga ata që thonë se Ukraina ka tregtuar vazhdimisht diçka të ndaluar nga marrëveshjet ndërkombëtare“, – thotë Volodymyr Horbulin, Drejtor i Institutit Kombëtar për Studime Strategjike në Ukrainë.

Pretendimet u shfaqën pasi Koreja e Veriut kërcënoi se do të hedhë raketa pranë ishullit amerikan të Guamit.

Disa ekspertë në Ukrainë shqetësohen se akuzat mund të ndikojnë tek ndonjë vendim i Shteteve të Bashkuara për t’i siguruar Ukrainës armë për mbrojtje, për të sprapsur separatistët e mbështetur nga Rusia.

Ka një diskutim të vazhdueshëm në lidhje me mundësinë për të transferuar armë në Ukrainë. Kjo histori mund të ketë një ndikim negativ në këtë proces”, thotë Ihor Fedyk i Qendrës për Ushtrinë, në Ukrainë.

Ndërsa dyshimet e eksspertit Michael Elleman janë duke u hetuar, qeveria e Koresë së Veriut e tërhoqi, të paktën përkohësisht, kërcënimin e saj ndaj Guamit dhe tha se do të presë për të pare se çfarë veprime e mëtejshme do të ndërmarrin Shtetet e Bashkuara./VOA/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Turizmi, Prefekti ngre problemin e ujit, stafit mjekësor dhe kullat e rojës

Close