Një vit pas grushtit - Turqia kujton sot përpjekjen e ushtrisë për të marrë pushtetin
15/07/2017 - 9:53 Nga: Xhoi Zajmi

Turqia feston sot një vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit, ku një fraksion i ushtrisë së vendit u përpoq të merrte pushtetin nga Presidenti Erdogan. Kreu i Shtetit e ka konsideruar këtë moment si rilindjen e Turqisë, teksa fushata masive dhe e ashpër e spastrimeve në rradhët e punonjësve shtetërorë ka vijuar edhe në prag të këtij përvjetori të parë.

Turqia kujton sot një vjetorin e grushtit të dështuar të shtetit, ku të paktën 260 persona humbën jetën dhe 2.196 u plagosën.

Një fraksion i ushtrisë u përpoq të merrte pushtetin nga Presidenti Rexhep Taip Erdogan, por përpjekja dështoi.

Që prej grushtit, qeveria ka arrestuar 50.000 persona dhe ka shkarkuar më shumë se 150.000 punonjës nga institucionet shtetërore në një spastrim që vijoi deri në prag të përvjetorit.

Sidoqoftë, kjo kundërpërgjigje e ashpër e Presidentit ka nxitur tashmë opozitën. Kritikët thonë se Erdogan po përdor spastrimet për të frenuar mospajtimin politik.

Një protestë e madhe u organizua javën e kaluar, ndërkohë që të tjera pritet të zhvillohen edhe gjatë ditës së sotme.

15 korriku është deklaruar ditë pushimi kombëtar. Presidenti Erdogan do të marrë pjesë në një tubim në Stamboll, në urën përballë Bosforit, vendi ku turmat u përballën me ushtarët.

Në mbarë Stambollin mund të shihen postera gjigandë ku tregohen njerëz që përballen me ushtarët pro-grushtit të shtetit.

 Erdogan e ka konsideruar këtë moment si rilindjen e Turqisë, por shumë mendojnë se grushti kujton përpjekjet për përçarjen e vendit.

Autoritetet turke vijojnë të akuzojnë klerikun mysliman Fethullah Gülen si orkestrues të puçit, por ky i fundit mohon të jetë përfshirë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Xhaçka pret homologun kosovar: Mbështetje për integrimin në NATO

Close