Turqia blen sistemin anti raketor ajror S-400 nga Rusia
21/04/2017 - 11:08

Turqia dhe Rusia janë shumë pranë arritjes së marrëveshjes për blerjen e sistemit mbrojtës nga raketat ajrore S-400 nga ana e Ankarasë.

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Fikri Isik tha të premten se marrëveshja është në “fazën përfundimtare” dhe se ajo do të nënshkruhet menjëherë.

Ai deklaroi në një konferencë shtypi se vendet anëtare të NATO-së, ku bën pjesë edhe Turqia nuk kanë paraqitur asnjë ofertë “efektive financiare” për një sistem mbrojtës alternativ.

Në vitin 2015, Turqia anuloi një tendër prej 3.4 miliardë dollarësh për një sistem të mbrojtjes nga raketat me rreze të gjatë veprimi me Kinën.

Më pas, Turqia tha se do të zhvillonte një sistem raketash në nivel lokal, por u tërhoq më vonë nga ky qëndrim.

“Është e qartë se Turqia ka nevojë për një sistem të mbrojtjes nga raketat, por vendet anëtare të NATO-s nuk kanë paraqitur ofertën, e cila është financiarisht e efektshme“, tha Isik në një konferencë shtypi.

Ai tha se Turqia nuk do të jetë në gjendje të integrojë S-400 në sistemin e NATO-s.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Bota arabe kushtëzon Katarin

Close