Axhenda e vizitave - Trump nis turin 9 ditor jashtë vendit, nga Lindja e Mesme në Europë
19/05/2017 - 12:23 Nga: Xhoi Malësia

Donald Trump ka nisur turin e tij të parë të vizitave zyrtare përtej oqeanit, ndërsa përgjatë nëntë ditëve të ardhme priten takimet në Arabinë Saudite, Izrael, Vatikan, Belgjikë dhe Itali. Në të pesta këto ndalesa, Trump do të përcjellë mesazhe të rëndësishme, teksa me intere të madh do të shihet pjesëmarrja e tij e parë në një samit të liderëve të NATO-s. Më herët, Presidenti amerikan nuk ka nguruar t’a quajë aleancën të dalë jashtë mode. 

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nisur turin e tij 9 ditor të vizitave në Lindjen e Mesme dhe në Europë.

Ndalesa e parë e liderit të Uashingtonit do të jetë Arabia Saudite, ku përveç takimeve bilaterale që janë parashikuar të zhvillohen ditën e shtunë, të dielën ai do të marrë pjesë në një samit të thirrur nga Mbreti Salman me praninë e 50 liderëve nga bota arabe dhe myslimane.

Gjatë qëndrimit të tij në Arabinë Saudite, Trump pritet të firmosë një sërë marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik dhe ushtarak.

Pas kësaj, lideri i Shtëpisë së Bardhë do të bëjë ndalesën e dytë në Jeruzalem dhe në territoret palestineze, ku do të takohet si me kryeminsitrin izraelit, Benjamin Netaniahu, ashtu edhe me Presidentin palestinez, Mahmud Abas.

Me interes të madh do të priten mesazhet që do të japë Trump. Lideri i Uashingtonit i ka pritur më herët këta dy liderë në Shtëpinë e Bardhë.

Axhenda e Presidentit vijon me një ndalesë në Vatikan të mërkurën e ardhshme, ku Trump do të takojë Papa Françeskun.

Një çështje mjaft e ndjeshme që pritet të zërë vend në bisedën mes palëve është pikërisht ajo e emigrantëve, ku Ati i Shenjtë ka bërë vazhdimisht thirrje për mikëpritjen e tyre, ndërkohë që premtimi më madhor i Trump ka qënë ndërtimi i murit në kufirin me Meksikën, me qëllim parandalimin e emigracionit të jashtëligjshëm.

Pas ndalesës në Vatikan, Trump i drejtohet samitit të NATO-s, të enjten e 25 majit, ku pjesëmarrës do të jenë liderët e vendeve antare të Aleancës, përfshirë kryeministrin Edi Rama.

 Ky do të jetë ballafaqimi i parë i Trump me boshtin veriatlantik, të cilin më herët nuk ka nguruar t’a quajë, të dalë jashtë mode.

Turi 9-ditor i Presidentit amerikan mbyllet me pjesëmarrjen në Samitin e G7 që zhvillohet në Siçili të Italisë. Tryeza e liderëve në këtë Samit të rëndësishëm do të jetë e orientuar në çështjet politiko-ekonomike. Presidenti amerikan rikthehet në Shtëpinë e Bardhë më datë 27 maj.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Gongu ka rënë për Ilir Metën

Close