SHBA - Trump mohon se Rusia ka materiale kompromentuese për të
11/01/2017 - 9:51 Nga: Xhoi Malësia

Donald Trump ka hedhur poshtë spekulimet se Rusia ka materiale kompromentuese për të, duke u shprehur se bëhet fjalë për lajme false të shpërndara nga mediat amerikane, të cilat i quan edhe njëherë të korruptuara. Lideri i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë mohoi gjithcka nëpërmjet një postimi në rrjetin social twitter, ndërkohë që pritet një sqarim më i detajuar nga konferenca për mediat që do të mbajë ditën e sotme. Sipas lajmeve që kanë qarkulluar në mediat amerikane, inteligjenca amerikane e ka sinjalizuar Presidentin e ardhshëm se agjensitë ruse posedojnë materiale që mund të dëmtojnë figurën e Trump.

Vetëm pak orë pasi u raportua se Agjensitë Inteligjente ruse kanë materiale kompromentuese për Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, lideri i ardhshëm i Shtëpisë së Bardhë ka mohuar gjithçka, duke u shprehur se mediat amerikane po vijojnë me gjuetinë e tyre të shtrigave.

Qëndrimin e tij, Trump e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin sociali twiter, ku shkroi se bëhet fjalë për një lajm fals dhe të pavërtetë.

Më herët, mediat amerikane, duke cituar burime konfidenciale bënë të ditur se Agjensitë ruse të Inteligjencës posedojnë materiale që mund të dëmtojnë rëndë figurën e Presidentit të 45-të të Shteteve të Bashkuara.

Sipas tyre, kjo gjë i është komunikuar edhe vetë republikanit nga ekspertët amerikanë, gjatë takimit që Trump zhvilloi me përfaqësuesit më të lartë të Inteligjencës në SHBA.

Gjithmonë duke ju referuar këtyre burimeve, agjentët amerikanë i kanë prezantuar miliarderit disa materiale të klasifikuara në lidhje me këtë çështje.

Lajmet e qarkulluara së fundmi e kanë thelluar edhe më shumë debatin sa i përket marëdhënieve të Donald Trump me Rusinë.

Republikani është shprehur se Shtëpia e Bardhë nën drejtimin e tij do të ridimensionojë marëdhëniet me Moskën zyrtare dhe se do të bashkëpunojë për të zgjidhur një sërë problemesh madhore që ka sot në botë.

Gjithashtu, Inteligjenca amerikane, përmes një materiali të detajuar pretendon se qeveria ruse ka urdhëruar sulme kibernetike për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të Shteteve të Bashkuara duke dëmtuar fushatën e ish-Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, me qëllimin për të favorizuar Donald Trump.

Megjithatë, këto akuza janë hedhur poshtë si nga miliarderi, ashtu edhe nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili është shprehur se çdo akuzë është e pabazë.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Vlorë, mbytet në kanal 57 vjeçari

Close