Washington - Trump i telefonon Erdogan, e përgëzon për fitoren e referendumit
18/04/2017 - 9:09 Nga: Xhoi Malesia

Në një qëndrim të ndryshëm nga ai i Departamentit Amerikan të Shtetit, Presidenti i ShBA-së, Donald Trump përgëzoi Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, për triumfin në referendumin popullor të së dielës. Pavarësisht se DASH pati një sërë kritikash për procesin, në bisedën telefonike, Trump ka përdorur nota pozitive. Palët kanë diskutuar gjithashtu edhe për situatën në Siri, ndërsa kanë shprehur vendosmërinë për të bashkëpunuar në kuadër të zgjidhjes së konfliktit.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka përgëzuar Presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan, për triumfin e kauzës së tij në referendumin popullor të zhvilluar ditën e dielë, votim i cili do t’i hapë rrugën ndryshimeve thelbësore të sistemit të qeverisjes.

Në një bisedë telefonike, lideri i Uashingtonit, ndryshe nga pjesa dërmuese e vendeve perëndimore, ka folur me nota pozitive. Ligjërata e tij ka qënë e ndryshme madje edhe me qëndrimin zyrtar të Departamentit amerikan të Shtetit, i cili bëri thirrje për respektimin e të drejtave themelore si dhe shqyrtimin e parregullsive në procesin zgjedhor.

Përveç diskutimeve për referendumin e së dielës, palët kanë diskutuar gjerësisht edhe për situatën në Siri.

Nga të dhënat zyrtare, mësohet se dy liderët kanë dakordësuar për shumë cështje, duke filluar nga qëndrimi i përbashkët mbi Presidentin aktual sirian, Bashar al-Assad.

Si Uashingtoni ashtu edhe Ankaraja mbështesin idenë se qeveria në pushtet duhet të largohet për t’i hapur rrugën një procesi të ri politik në kuadër të zgjidhjes përfundimtare konfliktit.

Gjithashtu, Trump ka falenderuar Erdogan, për mbështetjen e Turqisë në bombardimin e kryer ndaj një baze të ushtrisë siriane.

Në mbyllje, palët shprehën vendosmërinë për të mos lejuar më sulme ndaj popullsisë civile si dhe për t’u angazhuar në parandalimin e përdorimit të armëve të ndaluara, sikurse janë edhe armët kimike.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close