Situata politike - Tre muaj pas zgjedhjeve, Holanda ende pa qeveri
23/08/2017 - 17:57 Nga: Xhoi Zajmi

Mëse 3 muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, Holanda vijon të mbetet pa qeverinë e re, pasi partitë ende nuk kanë vendosur koalicionin që do të udhëheqë vendin. Teksa bisedimet për qeverinë e re rifilluan këtë muaj, situata politike në Holandë rrezikon të përkeqësohet në rast se palët nuk do të nuk do të jenë dakord me buxhetin që do të miratohet për vitin që vjen.

Ende pa një qeveri të re dhe mëse 160 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, Holanda po përballet me kolapsin e koalicionit të ashtuquajtur “kujdestar”.

Në zgjedhjet e 15 marsit, Partia Popullore për Lirinë dhe Demokracinë e kryeministrit Mark Rutte u konfirmua e para me 21.3% të votave, ndërkohë që Partia për Lirinë e Geert Wilders surprizoi me 13.1% të votave duke u pozicionuar e dyta.

Bisedimet post-zgjedhore për krijimin e një koalicioni qeverisës dështuan, pasi palët e përfshira nuk gjetën gjuhën e përbashkët në çështje si emigracioni.

Faktor tjetër që ndikoi në këtë situatë ishte edhe refuzimi i kryeministrit Rutte për t’u ulur në një tryezë me liderin e të djathtëve, Geert Wilders, për shkak të retorikës së ashpër anti-islamiste të këtij të fundit.

Kështu, drejtimi i vendit është ende në dorë të koalicionit që fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2012, pra Partia për Lirinë dhe Demokracinë, Laburistët, Unioni Kristian, Demokratët 66 dhe Partia Politike e Reformuar.

Bisedimet rifilluan në gusht pas një pauze të shkurtër verore dhe kjo pritet të jetë edhe faza e fundit e tyre.

Por dështimi i arritjes së një marrëveshjeje duket se nuk është ajo që kërcënon përkeqësimin e mëtejshëm të situatës politike në Holandë.

Partia Laburiste mund t’i kthejë shpinën koalicionit “kujdestar” përpara se të krijohet qeveria e re, në rast se buxheti që do të miratohet për vitin e ardhshëm nuk do të përfshijë rritjen e pagave për mësuesit.

Që prej Luftës së Dytë Botërore, qeveritë holandeze kanë kërkuar mesatarisht 72 ditë për t’u krijuar.

Në vitin 1977, qeverisë holandeze ju deshën plot 7 muaj për t’u krijuar, një rekord në historinë e vendit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Trade with foreign countries, INSTAT: Exports of construction materials and metals increased

Close