Kriza - Tre herë më shumë emigrantë mbërrijnë në Spanjë
11/08/2017 - 16:46 Nga: Xhoi Zajmi

Organizata Ndërkombëtare e Emigrimit thotë se së shpejti Spanja do të tejkalojë Greqinë sa i përket numrit të emigrantëve të ardhur përmes brigjeve të saj. Krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, tre herë më shumë emigrantë kanë zbarkuar në brigjet spanjolle. Megjithatë, Italia vijon të mbetet vendi me shifrat më të larta të emigrantëve të ardhur.

Tre herë më shumë emigrantë kanë mbërritur në Spanjë deri më tani krahasuar me të njëjtën periudhë në 2016, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigrimit. Deri më tani Spanja numëron 11,849 emigrantë të ardhur krahasuar me 13,246 në total të një viti më parë. Kjo do të thotë se numri i të sapoardhurve përmes detit në Spanjë së shpejti mund të tejkalojë edhe Greqinë, që regjistron 11,713 emigrantë të ardhur në këtë mënyrë. Kjo zhvendosje ka gjasa të ketë ndodhur për shkak të perceptimit të emigrantëve, se rruga spanjolle është më e sigurtë.

Vetëm një ditë më parë, rojat bregdetare spanjolle në Spanjën jugore deklaruan se 10 persona ishin shpëtuar në brigjet e Tarifas. Ndërkohë, rreth 30 emigrantë mbërritën po në brigjet spanjolle të mërkurën. Më herët gjatë vitit, mijëra protestues i kërkuan qeverisë spanjolle të lejonte hyrjen në vend të personave nga zona të përfshira në luftë.

Sidoqoftë, Spanja mbetet ende larg Italisë, që deri më 9 gusht, numëron 96,861 emigrantë të ardhur. Shifrat e përgjithshme kanë rënë me thuajse 60% nga e njëjta periudhë e një viti më parë.

/oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close