Zjarri në kullën 24 katëshe - Tragjedia në Londër, 17 të vdekur, shuhen shpresat për të mbijetuar
15/06/2017 - 12:43

Autoritetet në Londër nuk kanë asnjë shpresë se në kullën 24 katëshe që u përfshi nga zjarri mbrëmjen e së martës të ketë të mbijetuar.

Mëngjesin e sotëm numri zyrtar i të vdekurve është konfirmuar 17, por ekziston frika për rritje të mëtejshme të bilancit.

Ekipet e shpëtimit thonë se ka ende ‘numra të panjohur’ të njerëzve të vdekur brenda, por për momentin është shumë e rrezikshme që të përpiqen t’i rimarrin ato nga katet e sipërme të kullës Grenfell, e shkatërruar nga zjarri dhe e paqëndrueshme.

Shefja e zjarrfikëses së Londrës, Dany Cotton, tha: “Tragjikisht tani nuk presim të gjejmë ndonjë person tjetër gjallë. Nisur nga ashpërsia dhe nxehtësia e zjarrit do të ishte një mrekulli absolute për këdo që do të mbijetonte”.

Ajo shtoi më tej se duhet të kryhen kontrolle të plota të kateve të sipërme, por vetëm pas ndërtesa të shpallet e sigurt.

“Disa nga strukturat e brendshme nuk konsiderohen si të sigurta për momentin, megjithatë zjarrfikësit e mi kanë qenë deri në katin e fundit natën e kaluar, kanë bërë një kërkim fillestar të shkurtër nga porta. Por megjithëse ne kemi qenë atje nuk kemi arritur të bëjmë një kërkim gjithëpërfshirës dhe derisa të jemi të sigurtë nuk do të rrezikoj sigurinë e zjarrfikësve të mi”.

Kryeministrja Theresa May vizitoi skenën e tragjedisë këtë mëngjes dhe foli me shërbimet emergjente. Ajo ka premtuar një hetim të plotë të tragjedisë.

Deputeti laburist, David Lammy, e ka etiketuar zjarrin si ‘vrasjen e korporatave’ dhe kërkoi që të bëhen arrestime.

“Kjo është lagja më e pasur në vendin tonë  dhe i trajton qytetarët e saj në këtë mënyrë”.

Ministrat ishin paralajmëruar shumë herë mbi veshjen që e kthente kullën e Grenfell në një ferr, por kishin injoruar këshillat e ekspertëve të zjarrit.

Një studim i kryer nga arkitekti Sam Webb, zbuloi se gjysma e ndërtesave të inspektuara nuk plotësonin rregullat themelore të sigurisë nga zjarri.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Parliamentary elections, Socialist Party secured 74 seats in Parliament to govern alone

Close