Kriza - Trafiku i emigrantëve, BE ndal shitjen e barkave në Libi
17/07/2017 - 22:45 Nga: Xhoi Malësia

Bashkimi Europian ka ndaluar eksportet e barkave të gomes drejt Libisë si pjesë e përpjekjeve për t’i dhënë fund emigracionit të jashtëligjshëm. Vendimi është marrë nga ministrat e jashtëm të vendeve antare me arsyetimin se këto lloj barkash përdoren gjerësisht nga trafikantët për të transportuar refugjatët. Megjithatë, sqarohet se nga kjo masë nuk do të preken kompanitë e licensuara.

Ministrat e Jashtëm të vendeve antare të BE-së kanë marrë së fundmi vendimin për të ndaluar shitjen e barkave prej gome në Libi për shkak se këto të fundit përdoren gjerësisht nga trafikantët për transportin e emigrantëve drejt brigjeve të Europës.

Lajmi është konfirmuar në rrugë zyrtare, ndërsa bëhet e ditur se kufizimet nuk do të jenë të zbatueshme për kompanitë e licensuara libiane që merren me akvitete biznesi si peshkimi apo transporti i ligjshëm i personave dhe mallrave.

Ende nuk dihet nëse Bashkimi Europian do të krijojë një sistem kontrollues që të parandalojë rënien e barkave në duart e gabuara të tranfikantëve, ndaj shumë shpejt do të bëhet edhe zbardhja e strategjisë për të luftuar këtë fenomen.

Vendimi i marrë së fundmi është pjesë e një aksioni të madh të BE-së për të ndaluar emigracionin e jashtëligjshëm.

Që nga fillimi i vitit e deri më tani, në brigjet e Italisë kanë mbërritur afro 88 mijë azilkërkues, ku afro çereku i tyre ka ardhur vetëm gjatë muajit qershor.

Shifrat shqetesuese kanë bërë që Italia të shprehë hapur pakënaqësitë ndaj partnerëve të tjerë europianë.

Sipas qeverisë së Romës, autoritetet italiane po përballen thuajse të vetme me krizën, ndërsa kanë kërkuar një ndarje të drejtë të përgjegjësive.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Njësia elitë amerikane që do të vrasë Kim Jong-un?

Close