Itali - Tërmet në Iskia: Deri tani dy të vdekur, vijojnë kërkimet nën rrënoja
22/08/2017 - 11:10 Nga: Alba Kepi

Dy viktima, 39 të plagosur, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë është bilanci i tërmetit me magnitudë 4.0 ballë që goditi mbrëmjen e shkuar ishullin e Iskias në Itali.

Sipas Institutit Italian të Sizmiologjisë, tërmeti arriti një thellësi 5 km nën tokë, ndërkohë që është shoqëruar edhe nga 14 lëkundje më të lehta.

Në komunën Casamicciola, zonën më të prekur nga ky tërmet, është mundur të shpëtohet edhe djali 11-vjeçar i cili për mëse 14 orë kishte mbetur i bllokuar në gërmadhat e shtëpisë së tij. Më herët, skuadrat e shpëtimit arritën të nxirrnin nga gërmadhat dy vëllezërit e tij më të vegjël, 7 vjeç dhe 7-muajsh.Ka shpëtuar mrekullisht edhe nëna e fëmijëve, e cila është në pritje të fëmijës së saj të katërt.

Ishulli i Iskias në brigjet e Napolit ka një popullsi prej rreth 50,000 personash dhe është një destinacion turistik popullor.

Shumë turistë ndodheshin në bare dhe restorante kur filluan lëkundjet. Ata e kanë përshkruar tërmetin si një eksperiencë të tmerrshme, pasi pjesë të ishullit u zhytën në errësirë totale dhe godinat u shembën.

Gjatë natës, autoritetet vendosën tragete nga Napoli në Iskia për të sjellë më shumë skuadra shpëtimi në ishull dhe për të lejuar pushuesit të largoheshin.

Të paktën 1,500 persona raportohet se kanë mbetur të pastrehë për shkak të dëmeve materiale.

 

Tërmeti është shoqëruar nga 14 lëkundje të tjera më të lehta.

Momenti i shpetimit te njerit prej tre vellezerve nga rrenojat e termetit

Ku ndodhet ishulli i Iskias- Ishulli i Iskias shtrihet në rajonin e Kampanjës, pjesë e arqipelagut Flegree të Napolit. Me një sipërfaqe mbi 46 km2 ky ishull është i përbërë nga 6 komuna e qyteza disa prej të cilave shtrihen në zonat në brendësi të ishullit.

Pas ishullit të Sicilisë e Sardenjës, Iskia është ishulli i tretë më i populluar i Italisë me rreth 64 mijë banorë.

Ishulli i Iskias njohet si një nga zonat më turistike italiane e i madh është numri i turisitëve që ndodhen aktualisht në këtë territor. Instituti i Emergjencave italiane ka vënë në dispozicion të turistëve e banorëve tragetë me kapacitet rreth 1000 persona për t’u strehuar.

 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Monument për “vrasësin” e miliona njerëzve në botë!

Close