Teknologjia e njohjes së fytyrës – Nisma re e Pekinit kundër shpërdorimit të letrës higjienike
19/04/2017 - 21:50 Nga: Xhoi Zajmi

Parqet e Pekinit tashmë varen nga teknologjia e lartë për t’i ndaluar njerëzit që të shpërdorojnë letrat higjienike. Një makineri automatike e pajisur me teknologjinë e njohjes së fytyrës regjistron çdo përdorues dhe më pas nxjerr një copë letër, 70 cm për një udhëtim në tualet në Parkun e Tempullit të Parajsës. I njëjti përdorues do të duhet të presë 9 minuta përpara se të marrë një tjetër raund letre higjienike. Por vizitorë të parkut thonë se për personat që duhet ta përdorin tualetin me shpejtësi, kjo është disi jo e rehatshme sepse makineria vonohet shumë.

“Për shumicën e njerëzve, është pak e ngadaltë nëse duan ta përdorin tualetin me shpejtësi. Por nëse e shihni nga një tjetër këndvështrim, dhe e vendosni veten në vendin e dikujt tjetër, kjo është shumë e dobishme. Mendoj se është mirë,” shprehet Yu Baoyuan, banor 71-vjeçar i Pekinit.
Lei Zhenshan, projektues dhe ekzekutiv i shitjes nga Kompania Shoulian në Tianjin, shpjegon se si makineria funksionon.

“Kjo makineri në fakt u projektua që njerëzit të mos shpërdoronin më letrat higjienike. Nëse letra do të ishte vendosur në një pajisje të pakontrolluar, atëherë njerëzit do ta shpërdoronin pafundësisht.”

“Përmes këtyre dy lenteve të parme, ajo grumbullon informacionin e fytyrës dhe krijon një model 3-dimensional. Pasi e analizon, i jep makinerisë elektrike një sinjal që ajo të fillojë të punojë dhe të sigurojë letrën.”
Të tjerë vizitorë mendojnë se makineria është për t’u lavdëruar si tepër e dobishme pasi e nxjerr letrën në mënyrë automatike dhe nuk lejon shpërdorimin.

“Kjo do të kursejë letër dhe do të ndalojë shpërdorimin. Është e volitshme sepse nuk më duhet ta tërheq,” thotë turisti 57-vjeçar Zhu Guomin nga provinca Jiangsu.
Më herët gjatë këtij muaji, media kineze raportoi se vizitorët në Tempullin e Parajsës harxhonin sasi të panevojshme letre higjienike nga tualetet e vendosura nëpër parqe, dhe disa madje, janë parë duke i futur këto letra në çantat e tyre. Mirëmbajtësi i tualetit tha se makineria e re në fakt ka reduktuar sasinë e letrës higjienike që njerëzit përdorin – tashmë ata fusin vetëm 4 rulone në ditë nga 14 që fusnin më parë.

/oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Bota arabe kushtëzon Katarin

Close