Francë - Paris, vritet një polici, dy plagosen. ISIS merr përgjegjësinë
20/04/2017 - 0:50

Një person i armatosur vrau të enjten mbrëma një oficer policie dhe plagosi dy të tjerë para se të vritej vetë në bulevardin Champs-Elysees në Paris.

Zyrtarët e policisë thanë se sulmuesi kishte në shënjestër policinë që ruante zonën pranë stacionit të metrosë Franklin Roosevelt.

Presidenti francez, Francois Hollande, tha se të gjitha shenjat flasin se sulmi kishte të bëjë me terrorizmin, ndërsa paralajmëroi për të premten një takim të zyrtarëve më të lartë të sigurisë, mbrojtjes dhe agjencive të zbulimit.

Grupi militant, Shteti Islamik, mori përgjegjësinë nëpërmjet një komunikate të transmetuar nga agjencia e tij e lajmeve Amaq.

Ata e identifikuan sulmuesin si “një nga ushtarët e tyre” me emrin Abu Yousif – Belgu.

Ngjarja ndodhi tre ditë përpara raundit të parë të votimit në zgjedhjet presidenciale të Francës. Siguria është e lartë para votimit pas njoftimeve të policisë se kishte arrestuar dy persona të martën për planifikim të një sulmi terrorist.

Një stacion televiziv francez që po mbulonte një diskutim mes 11 kandidatëve që konkurrojnë për president ndërpreu përkohësisht transmetimin për të njoftuar rreth ngjarjes.

Politikani konservativ, Francois Fillon, që kandidon për zgjedhjet presidenciale të së dielës, tha se fushata do të duhej të pezullohej të premten.

Incidenti u kujton parisianëve dy sulme të kohëve të fundit ndaj ushtarëve që siguronin disa objekte të njohura të kryeqytetit francez, një në muzeun e Luvrit në muajin shkurt dhe një tjetër në aeroportin Orly muajin e kaluar.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, reagoi pas sulmit që e cilësoi të tmerrshëm.

“Po ndodh sërish. Është një gjë e tmerrshme. Është një gjë shumë e tmerrshme ajo çfarë po ndodh në botë sot. Duket si një tjetër sulm terrorist. Çfarë mund të thuash? Thjesht, nuk përfundon kurrë. Duhet të jemi të fortë, duhet të jemi vigjilentë dhe e kam thënë këtë për kohë të gjatë”, tha presidenti Trump.

Franca është në gjendje të jashtëzakonshme, për shkak të sulmeve terroriste gjatë të cilave që nga viti 2015 kanë humbur jetën 230 njerëz. /VOA/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Bota arabe kushtëzon Katarin

Close