Rezultatet e autopsisë - Sulmi në aeroportin e Parisit, agresori nën ndikimin e drogës dhe alkoolit
20/03/2017 - 8:24

Autori i sulmit të së shtunës në aeroportin Orly të Parisit ka qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës. Ky është rezultati i autopsisë, raportojnë mediat franceze.

Sipas tyre, në analizat e gjakut të viktimës, Ziyed Ben Belgacem, 39 vjeç i cili u vra pasi i mori armën një ushtari dhe tha se donte të vdiste në emër të Allahut, është gjetur një përqëndrim alkooli prej 0.93 gram për litër si dhe gjurmë kanabisi e kokaine.

39-vjeçari sulmoi në aeroport një ushtar, duke i rrëmbyer armën. Pas kësaj ai u vra nga ushtarët e tjerë.

Sipas dëshmive të ushtarëve, Ziyed Ben Belgacem kishte deklaruar:”Jam këtu për të vdekur për Allahun”.

Më herët 39- vjeçari kishte plagosur një polic gjatë një kontrolli rutine në periferi të Parisit e më pas ishte arratisur me një automjet të grabitur.

Autoritetet franceze bënë me dije se agresori dyshohej për lidhje terroriste dhe shtëpia e tij ishte mes dhjetëra banesave të bastisura në nëntor të 2015-s pas sulmeve ku mbetën të vrarë 130 persona.

Por babai i agresorit ka mohuar se djali i tij është terrorist, duke deklaruar se gjithçka ka ndodhur pasi i biri ka qenë nën efektin e alkoolit dhe drogës.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
No destabilization, DP Chairman: This is a peaceful movement for free elections

Close