Sprinti final i garës presidenciale franceze, centristi Macron favoriti kryesor
18/04/2017 - 15:38 Nga: Xhoi Malësia

Kandidatët presidencialë francezë po mbajnë takimet elektorale të fundit përpara raundit të parë të garës që do të zhvillohet të dielën.

Ekspertët e kanë përshkruar këtë proces si një ndër më të paparashikueshmit të mbajtur në dekadat e fundit, por pavarësisht kësaj, vëmendja e të gjithëve është drejtuar nga Centristi Emanuel Macro si dhe liderja e Frontit Nacional, Marine Le Pen. Të dy këta kandidatë e nisën javën me takime elektorale në Paris, duke treguar edhe njëherë rivalitetin e ashpër mes tyre.

Megjithatë, më i favorizuari në këtë duel duket se është Emanuel Macro. Dikur pjesë e Partisë Socialiste dhe ministër në qeverinë e Presidentit aktual, Francois Hollande, sot 39-vjeçari është padyshim surpriza e zgjedhjeve të këtij viti. Në pesë sondazhet e fundit të realizuara nga kompani të ndryshme, ai udhëheq projeksionet, ndërsa në raundin e parë parashikohet të bëjë për vete nga 22-25% të elektoratit.

Por pse qytetarët janë drejtuar nga Macro? Centristi po shihet si personi që mund të sjellë ndryshime radikale në Francë, ndërsa reformat më të thella i ka premtuar në sektorin e ekonomisë. Macro ka premtuar 50 miliardë euro investimenë sektorët publikë, shumë të cilën pretendon ta rekuperojë me anë të kursimeve në shpenzimet buxhetore.

Ai ka propozuar tkurrjen e administratës publike, të Senatit dhe të Asamblesë, ndërsa vëmendje të vecantë do t’i kushtohet hapjes së vendeve të reja të punës si dhe përgatitjen e profesionistëve.

Nga ana tjetër, Marine Le Pen, njihet për qëndrimet e saj euroskeptike. Liderja e Frontit Nacional do t’u mbyllë menjëherë dyert emigrantëve, si dhe pritet të mbajë një retorikë më të ashpër në raport me Brukselin. Sipas Le Pen, qytetarët francezë, për shkak të Bashkimit Evropian janë shumë larg me vendim-marrjen, ndërsa premton se me ardhjen e saj në krye të presidencës, pushteti do të rikthehet në duart e popullit.

Në hije mbeten republikani, Fransua Fijo si dhe socialisti, Benua Hamo. Konservatori Fijo vinte me një reputacion të lartë nga radhët e partisë së tij, por një sërë skandalesh financiare të publikuara në media si dhe akuzat për nepotizëm e dëmtuan rëndë figurën e tij në sytë e publikut. Nga ana tjetër, ndonëse fitoi primaret socialiste, Hamo mbetet në disavantazh për shkak të pakënaqësisë së qytetarëve në lidhje me qeverisjen e Presidentit Fransua Hollande.

Dhe së fundmi por jo nga rëndësia, Zhan Lyk Melensho, është konsideruar si kandidati që mund të bëjë surprizën. Ndonëse inekzistent në muajt që lamë pas, 65-vjeçari ka parë një rritje të konsiderueshme në sondazhe, ndaj situata e tij do të ndiqet me mjaft interes.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale franceze do të mbahet të dielën më datë 23 Prill, dhe nëse asnjë nga kandidatët nuk do të fitojë më shumë se 50% të votave, dy më të votuarit do të dalin në balotazh në raundin e dytë, që pritet të zhvillohet më datë 7 maj.

 

/Ora News.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
BOOM: Kalvari në gjykata i inspektores se AKU. U shkarkua 3 herë

Close