Analizat - Skandali i vezëve të prekura nga instekticidi Filpronil mbërrin në Itali
21/08/2017 - 18:40 Nga: Alba Kepi

Skandali i vezëve të importuara nga Holanda e të prekura nga insekticidi Filpronil konfirmohet se ka mbërritur në Itali. 

Pas kontrollove e analizave të kryera nga Ministria italianae e Shëndetësisë ndër 114 kampione vezësh, dy prej tyre kanë rezultuar pozitive me insekticidin Fipronil, i cili është një anti parazitar i përdorur në fermat e shpendëve në disa vende europiane.

Në Itali ky lloj insekticidi është i ndaluar. Sipas Ministrisë italiane të Shëndetëisë, kontrollet janë kryer para datës 15 gusht e gjatë ditës së sotme kanë mbërritur përgjigjet e analizave që kanë konfirmuar dy kampionë pozitivë të vezëve të importuar nga Hollanda. 

Sipas mediave italiane, këto dy kampione vezësh janë identifikuar në qytetin e Romës dhe në atë të Ankonës.

“Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me autoritetet shëndetësore rajonale e Drejtorinë për Mbrojtjen e Shëndetit në Policinë e Shtetit ka kryer gjatë javës së fundit një aktivitet intensiv të monitorimit të vezëve, të derivateve të saj dhe ushqimeve që e përmbajnë si në ato të prodhimit vendas si dhe ndaj atyre të importuara me qëllim identifikimin e produkteve të prekura nga insekticidi Fipronil” thuhet në deklaratën e shpërndarë sot për mediat nga ky institucion.

Skandali i vezëve të prekura me Fipronil në Itali nisi në fund të muajit korrik kur një shoqëri nga Emilia Romanja denoncoi faktin se kishte importuar nga Holanda të bardha e të kuqe vezësh të pastorizuara.

Menjëherë pas këtij denoncimi Ministria italiane e Shëndetësisë bllokoi rreth 240 kuintalë produkte vezësh të importuar duke iu nënshtruar kontrolleve përkatëse.

Tani po hetohet për të kuptuar burimin e prekjes me Fipronil të kampionarëve të rezultuar pozitive e që me shumë gjasa kanë të bëjnë me produkte derivatesh vezësh.

Skandali i vezëve të prekura me Fipronil në EuropëNga janë importuar?

Skandali i vezëve me Flpronil ka shkaktuar preokupim në të gjithë Europën.

Vendet ku gjënden sipërmarrjet e fermat që u janë sekuestruar vezë të prekura nga Filpronili janë Belgjika, Holanda, Franca e Gjermania.

Ndërsa vendet që kanë importuar vezë nga këto shtete janë Austria, Italia, Mbretëria e Madhe, Polonia, Irlanda, Rumania, Sllovakia, Sllovenia, Danimarka, Luksemburgu e Suedia.

Në Britaninë e Madhe, shumica e supermerkatëve ka kërkuar tërheqjen nga tregu të vezëve të importuara nga vendet e ulëta.

Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stephane Travert, ka pohuar gjatë orëve të fundit se rreth 200 mijë vezë të prekura nga Fipronili e të importuara nga Holanda e Belgjika janë hedhur në treg.

Ndërsa Ministrja holandeze e Shëndetësisë, Edith Schippers, ka pranuar përgjegjësinë e qeverisë së saj, ndaj akuzave të bëra nga qeveria belge se rastet e vezëve të prekura me Fiplronil janë identfikuar në Holandë që në nëntor të 2016 e se ka munguar lajmërimi i duhur nga autoritetet hollandeze.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Trade with foreign countries, INSTAT: Exports of construction materials and metals increased

Close