Shuhet “Godzilla”, ndahet nga jeta aktori Haruo Nakajima
08/08/2017 - 16:38 Nga: Xhoi Zajmi

Aktori i parë që interpretoi përbindëshin Godzilla, Haruo Nakajima, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare për shkak të pneumonisë. Nakajima, i cili e ka veshur petkun e Godzillës për 12 filma, do të mbahet mend edhe për interpretimet e tjerë përbindëshave si King Kong apo Rodan.

Personi i parë që solli në jetë përbindëshin e dashur por edhe të frikshëm Godzilla, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare. Sipas kompanisë krijuese të këtij personazhi, aktori Haruo Nakajima, i cili e mbajti veshjen e Godzillës në 12 filma, vdiq për shkak të pneumonisë.

Karriera e Nakajima-s filloi si një aktor dublant në filmat e kohës së luftës dhe me samurai, ku përfshihet edhe “Seven Samurai” nga regjisori Akira Kurosawa. Për herë të parë, Nakajima interpretoi rolin e Godzillës – një përbindësh gjigand që shfaqet nga deti pas një testimi nuklear – në filmin e vitit 1954 me të njëjtin titull, me regji të Ishiro Honda-s e i prodhuar nga studioja e famshme japoneze e filmit Toho. Role të tjera të tij përfshijnë Rodan, Mothra dhe King Kong, ndërkohë që shfaqja e tij e fundit si Godzilla ishte në filmin e vitit 1972, Godzilla vs. Gigan.

Godzilla është kthyer në një klasik të përbindëshave teksa industria japoneze e filmit dhe Hollywood-i kanë prodhuar disa filma rreth këtij personazhi. Në një epokë të përparimit teknologjik, përbindëshi tashmë krijohet duke përdorur grafika kompjuterike, por në një intervistë të dhënë më herët gjatë këtij viti, Nakajima rrëfente se kostumi origjinal i 1954 ishte krijuar nga betoni i përzier dhe peshonte deri në 100 kg.

/oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close