SHBA nisin edhe dy aeroplanmbajtëse luftarake drejt Gadishullit Korean
18/04/2017 - 16:51

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur edhe dy aeroplanmbajtëse luftarake drejt Gadishullit Korean, ndërsa ato u shtohen dy luftanijeve të tjera.

Presidenti amerikan Donald Trump ka dërguar “USS Carl Vinson”, i pajisur me reaktorë bërthamorë, ndërsa mban 100 avionë. Aeroplanmbajtëset janë shoqëruar edhe nga një anije sulmuese si dhe nga një nëndetëse.

Raportet në Korenë e Jugut thonë se presidenti amerikan do të dërgojë javën e ardhshme edhe aeroplanmbajtësen “USS Nimitz” në Detin e Japonisë.

Dërgesa vjen ndërkohë që Trump ka paralajmëruar Korenë e Veriut për kontrollin e ambicieve bërthamore.

 Një tjetër aeroplanmbajtëse e quajtur “USS Ronald Reagan” aktualisht është  stacionuar në Yokosuka, Japoni, sipas agjencisë së lajmeve Yonhap.

Tensionet në rajon janë shtuar pasi Koreja e Veriut ka paralajmëruar se do të kryej testin e gjashtë bërthamor, ndërsa fundjavën që lamë pas ka zhvilluar edhe një paradë të madhe ushtarake.

Këtë mëngjes, nënpresidenti amerikan Mike Pence siguroi kryeministrin japonez Shinzo Abe se SHBA-të janë të gatshme për të punuar ngushtë me aleatët e saj aziatikë në rajon për të arritur denuklearizimin e Gadishullit Korean.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Njësia elitë amerikane që do të vrasë Kim Jong-un?

Close