Deklarata e Tillerson - SHBA akuza Iranit: Shteti që financon më shumë terrorizmin
20/04/2017 - 9:48 Nga: Xhoi Malësia

Presidenti Trump është i vendosur që të ndryshojë qasjen e Shteteve të Bashkuara të Iranit pasi sipas tij, qeveria e Teheranit ka ndërmarrë një sërë veprimesh që rrezikojnë të destabilizojnë rajonin e Lindjes së Mesme dhe mbarë botën. Lajmi është përcjellë nga Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i cili e akuzoi Iranin si shtetin lider në financimin e terrorizmit. Kryediplomati theksoi se administrata do reagojë shumë shpejt përballë një situate të tillë.

Administrata Trump duket se ka ndërmend të ndryshojë krejtësisht linjën e politikës së jashtme në raport me Iranin, ndërsa në një konferencë për mediat, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, është shprehur se qeveria iraniane po kryen veprime provokuese që rrezikojnë të destabilizojnë Lindjen e Mesme, duke prekur kështu jo vetëm interesat e Shteteve të Bashkuara, por edhe të mbarë botës.

Numri një i diplomacisë amerikane nuk kurseu as akuzat e ashpra, ndërsa e cilësoi Iranin si shtetin lider në financimin e terrorizmit.

Kryediplomati tha gjithashtu se përballë një situatë të tillë, Uashingtoni nuk do të rrijë duarkryq dhe se po përgatit një plan veprimi.

“Provat janë të qarta. Veprimet provokuese të Iranit kërcënojnë Shtetet e Bashkuara, rajonin dhe botën. Administrata Trump aktualisht po bën një rishikim gjithpërfshirës të politikave që kemi ndjekur me Iranin dhe sapo të kemi dalë në konkluzione, do të njotojmë linjën që do të mbajmë në të ardhmen. Irani ka kryer sulme të vazhdueshme kibernetike ndaj ShBA dhe vendeve tona partnere të Gulfit. Irani është gjithashtu aktori kryesor prapa shumë sulmeve terroriste në mbarë botën. Për këto fakte dhe shumë të tjera, ne besojmë se kërcënimi prej tyre po bëhet gjithnjë e më i madh”.

Më tej, Tillerson kritikoi edhe marrëveshjen bërthamore me Iranin, akord i cili i ndaloi Teheranit zhvillimin e programeve për ndërtimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Në mbyllje, Sekretari amerikan i Shtetit nënvizoi se me këto ritme, qeveria iraniane do të rreshtohet përkrah qeverisë koreano-veriore.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close