Sekretari amerikan i Shtetit në Pekin, nota miqësore drejt Jinping
19/03/2017 - 21:40 Nga: Xhoi Malësia

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, në Kinë, e cila vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes palëve janë karakterizuar nga tensionet e njëpasnjëshme është mbyllur me nota të ndërsjella miqësie.

Gjatë qëndrimit të tij, shefi i diplomacisë së Shteteve të Bashkuara, zhvilloi një sërë takimesh me zyrtarë të lartë të vendit aziatik.

Në fjalën e mbajtur përpara Presidentit Xi Jinping, Tillerson qartësoi vullnetin e liderit të ShBA, Donald Trump, për të përmirësuar marrëdhëniet me Kinën.

“Presidenti Trump ka një vlerësim të lartë për komunikimin që ka patur mes jush, mbi të gjitha rreth telefonatës së gjatë ku shkëmbyet pikapëmjet tuaja për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai gjithashtu është optimist për të zhvilluar një vizitë zyrtare. Ne e dimë se vazhdimi i këtij dialogu do të sjellë një mirëkuptim të ndërsjellët gjë që sigurisht do të forcojë lidhjet tona”, u shpreh Tillerson.

Nga ana tjetër, në të njëjtën linjë qëndroi edhe Presidenti i Kinës, Xi Jinpin. Ai tha se e mirëpriste qëndrimin për të patur një marrëdhënie më konstruktive.

“Ne besojmë se mbajtja e kursit që sapo kemi vendosur është në interest ë të dyja palëve. Jam i bindur se të dyja palët janë në kërkim të një niveli më të lartë marrëdhëniesh konstruktive”, ishin fjalët e Presidentit të Kinës.

Pekini dhe Uashingtoni kanë patur një sërë çështjesh që kanë krijuar tension në marrëdhëniet mes palëve, ndër të cilat mund të përmenden kontaktet e Presidentit Trump me homologen e tij nga Tajvani, çështje e detit të Kinës Jugore si dhe vendosjen e sistemit anti-raktetë amerikan në Korenë e Jugut.

Gjithashtu, lideri i Shteteve të Bashkuara ka kërkuar gjatë kësaj kohe një retorikë më të ashpër ndaj Kinës kur flitet për çështjet ekonomike.

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter