Saga e studentit amerikan, Koreja e Veriut pretendon se është helmuar
16/06/2017 - 13:55 Nga: Xhoi Zajmi

Studenti amerikan i liruar së fundmi nga Koreja e Veriut pas më shumë se 15 muajsh burgim, nuk tregon asnjë shenjë të botulizmit ose helmimit të pretenduar nga Pheniani.

Kjo është ajo që një skuadër doktorësh amerikanë kanë zbuluar tek 22-vjeçari Otto Warmbier, i cili më herët gjatë kësaj jave u kthye në Shtetet e Bashkuara, në gjendje kome.

Sipas regjimit koreano-verior, koma e të riut u shkaktua vitin e kaluar nga botulizmi dhe një ilaç për gjumin që ai mori pas gjyqit të tij. 22-vjeçari nuk ka folur që prej rikthimit të tij në shtëpi dhe doktorët thonë se ai nuk tregon shenja se e kupton gjuhën që i flitet dhe ka humbje të mëdha të indeve të trurit.

Sipas analizave të kryera nga doktorët, Warmbier nuk ka shenja të abuzimit fizik gjatë burgosjes së tij në Korenë e Veriut. Doktorët besojnë se gjendja e tij ka ardhur nga një ndalim i frymëmarrjes, që shkaktohet nga mungesa e oksigjenit dhe gjakut në tru.

Botulizmi është një lloj helmimi që mund të shkaktojë paralizë tërësore të trupit, vështirësi në frymëmarrje e madje edhe vdekje në disa raste. Bakteri që shkakton sëmundjen, mund të merret edhe përmes ushqimit. Ai lëshon një lloj helmi që njihet për përdorimin e tij tek botoksi, që heq rrudhat duke paralizuar muskujt e fytyrës.

Otto Warmbier u arrestua në janar 2016 ndërkohë që vizitonte Korenë e Veriut si turist. Ai u dënua me 15 vjet burg pasi u përpoq të vidhte një parullë propagandistike nga një hotel.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close