SHBA - Rinovohet Shtëpia e Bardhë! Ja si duket e pamobiluar
12/08/2017 - 15:37

Ndërkohë që familja presidenciale amerikane pushon në Nju Xhersi, në Shtëpinë e Bardhë vijon puna për rinovim. Agjensia e lajmeve Reuters sjell pamjet nga ambientet e boshatisura të rezidencës së presidentit, i cili do të jetë me fat nëse do të gjejë një karrige kur të rikthehet në Zyrën e tij Ovale, që gjithashtu është pjesë e këtyre punimeve rinovuese.

Teksa presidenti amerikan Donald Trump dhe familja e tij vijojnë pushimet e tyre në Nju Xhersi, grupet e ndërtimit vijuan punën për rinovimin e pjesëve të ndryshme të Shtëpisë së Bardhë. Agjensia prestigjioze e lajmeve Reuters sjell këto pamje nga rinovimi i parë madhor i rezidencës zyrtare të presidentit në më shumë se 6 dekada.

Përgjatë muajit, grupet do të punojnë për të përmirësuar sistemin e ngrohjes dhe ftohjes në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë, do të rinovojnë kuzhinën dhe zonën e pritjes si dhe do të zëvendësojnë shkallët në portikun jugor.

Ish-zëdhënësi për shtypin i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer që shoqëroi këtë tur, nuk ngurroi të fotografonte ambjentet e boshatisura të rezidencës presidenciale.

Trump pritej të qëndronte në rezidencën e tij të golfit për 17 ditë, por Politico raportoi një ditë më parë se presidenti po planifikonte një rikthim të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë të hënën e 14 gushtit. Trump do të jetë me fat nëse do të gjejë një karrige në zyrën e tij, pasi edhe Zyra Ovale është boshatisur tërësisht nga mobiljet për t’iu nënshtruar rinovimit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close