Fjalimi i lamtumirës - Obama, amerikanëve: Mbroni demokracinë si të ishit gardianë
11/01/2017 - 7:53 Nga: Xhoi Malësia

Barak Obama u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të mbrojnë demokracinë si të ishin gardianët e saj, në fjalimin përmbyllës të fushatës ‘Po ne mundemi’. Obama vlerësoi si arritje të administratës së tij uljen e shkallës së papunësisë si dhe uljen e kostove të shërbimit shëndetësor, por u shpreh se këto arritje janë shënuar falë vullnetit të popullit amerikan. Edhe njëherë, lideri në ikje i Shtëpisë së Bardhë e pranoi se ka ndasi të mëdha në qëndrime me pasardhësin e tij Trump, po u shpreh se ka bërë gjithçka për të siguruar një tranzicion sa më të mirë të pushtetit.

Në një fjalim emocionues të përmbylljes së fushatës së ‘Po ne mundemi’, Presideti në ikje i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka përcjellë mesazhet e tij të fundit për qytetarët amerikanë, të cilëve u ka kërkuar që t’a mbrojnë demokracinë si të ishin gardianët e saj.

Presidenti i 44-t në historinë e SHBA-ve vlerësoi progresin që sipas tij është shënuar në dy mandatet që ai qëndroi në krye të Shtëpisë së Bardhë, por theksoi se të gjitha arritjet kanë ardhur falë përkushimit të popullit amerikan.

“Kjo është diçka që e arritët ju. Ju ishit ndryshimi. Ju iu përgjigjët shpresave të qytetarëve. Dhe falë jush, Amerika është sot një vend më i mirë dhe më i fortë se në momentin që nisi gjithçka”, u shpreh Obama, deklaratë që u prit me ovacione nga të pranishmit.

Më tej, lideri në ikje i Uashingtonit foli për ndryshimin e pushtetit dhe për pasardhësin e Donald Trump.

Obama e pranoi se mes tij dhe Presidentit të ardhshëm ka shumë ndasi në mendime, por nënvizoi se ka bërë të pamundurën për një tranzicion sa më të lehtë të administratës.

Megjithatë, ai u bëri edhe njëherë thirrje qytetarëve që të mbrojnë vlerat amerikane siç janë demokracia, sundimi i ligjit, si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut, një kritikë në distancë kjo për Trump.

“Për të mbrojtur mënyrën tonë të jetesës nuk është thjeshtë e nevojshme që të forcojmë ushtrinë. Demokracia mund të tkurret kur ne dorëzohemi ndaj frikës, Kështu që ne si qytetarë, duhet të tregohemi vigjilentë ndaj veprimeve agresive të jashtëme, por duhet të mbrojmë edhe vlerat na personifikojnë ne.”

Sa i përket dy mandateve të tij në krye të vendit, lideri në ikje i Shtëpisë së Bardhë vlerësoi si arritje uljen e shkallës së papaunësisë, rivitalizimin e ekonomisë si dhe uljen e kostove për kujdesin shëndetësor.

Një moment emocionues ishte edhe kur Obama, foli për familjen dhe bashkëshorten e tij Michelle.

“Michelle, gjatë 25 viteve, ju keni qenë jo vetëm gruaja ime dhe nëna e fëmijëve të mi, por shoqja ime më e mirë. More përsipër një punë në të cilën nuk u pyete, dhe e bëre në mënyrën tënde me hir, me kurajë, me stil dhe humor të mire.Ju e keni kthyer Shtëpinë e Bardhë në një vend që i përket të gjithëve. Jeni frymëzim dhe një model për brezin e ri”.

Obama do të lërë zyrtarisht Shtëpinë e Bardhë më datë 20 janar, për t’u pasuar nga Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close