Presidenti i Venezuelës kërkon takim me Trump
11/08/2017 - 10:20 Nga: Xhoi Zajmi

Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro është shprehur se ai kërkon një takim kokë-më-kokë me presidentin amerikan Donald Trump.

Ai i tha Asamblesë së sapozgjedhur kushtetuese se ai dëshiron të zhvillojë “një bisedë personale” kur të dy udhëheqësit të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork muajin e ardhshëm. “Nëse ai është kaq i interesuar për Venezuelën, këtu jam, këtu është dora ime,” deklaroi Maduro përpara asamblesë në një fjalim që zgjati tre orë.

Sidoqoftë, në pika të caktuara, Maduro iu rikthye tematikave më tradicionale anti-amerikane, duke i akuzuar ata si “imperialistë” që po komplotojnë kundër qeverisë.

“Ne kurrë nuk do t’i dorëzohemi fuqive të huaja,” u shpreh presidenti, që gjithashtu shtoi se do t’i sfidonte sanksionet e SHBA-së në një gjykatë amerikane.

Fjalimi i tij u prit me ovacione nga asambleja kushtetuese e mbizotëruar nga mbështetësit e tij.

Së fundmi, presidenti Donald Trump aprovoi sanksione ndaj Maduros, duke e akuzuar për dëmtim të demokracisë në Venezuelë. Shtëpia e Bardhë nuk i është përgjigjur ende këtyre komenteve.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close