Presidenti i shpall luftë “fake news”
08/08/2017 - 16:10 Nga: Xhoi Zajmi

Në një kohë kur rreth tij qarkullojnë shumë lajme të rreme apo “fake news” siç i quan ai, presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të raportojë lajmin e vërtetë përmes një serie të titulluar “Lajmet e Javës” që do të transmetohet në vetë faqen e tij në Facebook.

Dhe prezantuese e kësaj rubrike nuk është askush tjetër veçse një ish-komentuese politike e rrjetit CNN, Kayleigh McEnany, një mbështetëse e Trump, e cila u largua nga kjo media për t’iu bashkuar presidentit.

Që prej marrjes së detyrës, Trump ka qenë në luftë të vazhdueshme, jo vetëm me CNN, por edhe me të tjera portale mediatike që ai i akuzon se nuk kanë raportuar arritjet e administratës së drejtuar prej tij.

Segmenti i ri online, i menaxhuar nga bashkëshortja e djalit të tij Eric, Lara Trump do të promovojë nga Kulla Trump sukseset e presidentit dhe do të përfshijë lajme të reja nga fusha kyçe të politikës si emigracioni dhe krijimi i vendeve të punës.

“Ky është lajmi i vërtetë” pritet të kthehet edhe në frazën e këtij programi të ri, ku skandalet apo ndryshimet në personelin e Shtëpisë së Bardhë nga ana e presidentit duket se nuk do të jenë pjesë e raportimeve.

Ky segment mund të jetë edhe fillimi i Trump TV, teksa fjalët për krijimin e një rrjeti mediatik nga presidenti qarkullonin që prej tetorit të vitit të kaluar.

Mendohet se me këtë seri, Trump do të shpërndajë mbulimin e presidencës së tij, e cila deri më tani është eklipsuar nga skandale të njëpasnjëshme.

/Oranews.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close