Presidenti çeçen: Nuk kemi asnjë gay, jam gati të vdes për Rusinë
15/07/2017 - 18:57

Presidenti i Çeçenisë i mbështetur nga Kremlini, Ramzan Kadyrov, ka bërë një deklaratë të bujshme gjatë një interviste televizive, duke deklaruar se në vendin e tij nuk ka asnjë homoseksual.

Ai iu përgjigj kështu akuzave se ka vrarë dhe ka torturuar homoseksualët gjatë pyetjeve të kanalit televiziv amerikan NBO.

Kadyrov, tha se ata që kanë akuzuar autoritetet çeçene për torturimin e homoseksualëve janë “djaj” të cilët duhet mallkuar. 

“Kjo është e pakuptimtë. Nuk kemi njerëz të tillë. Nuk kemi homoseksualë” tha Kadyrov në një fragment nga intervista e postuar në internet më 14 korrik.

“Dhe nëse ka disa, lutemi t’i çoni në Kanada. Falënderimi qoftë për Zotin. Larg prej tyre. Nuk i kemi ata në shtëpi. Për të pastruar gjakun tonë, nëse ka ndonjë këtu, merreni ato”, shtoi Kadyrov.

Një person homoseksual i tha Radio Evropa e Lirë se kishte kaluar 10 ditë në një burg të fshehtë, duke u rrahur, poshtëruar dhe torturuar me goditje elektrike.

Në një raport më 26 maj, Human Rights Watch tha se kishte konfirmuar se policia në rajonin e Çeçenisë ka torturuar dhe poshtëruar  dhjetëra burra homoseksualë ose biseksualë gjatë pranverës së vitit 2017 në “një përpjekje të dukshme për t’i pastruar ata nga shoqëria çeçene”.

Autoritetet çeçene i kanë mohuar raportet.

“Ata janë djaj. Ata janë për t’u shitur, nuk janë njerëz. Perëndia mallkon ata për atë që ata po na akuzojnë,” tha Kadyrov kur u pyet nëse ai është i shqetësuar nga raportet duke cituar deklaratat e të rinjve që thonë se janë torturuar.

Kadyrov tha gjithashtu në intervistë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të dobëta për të qenë armik i Rusisë.

“Ne kemi një qeveri të fortë dhe jemi një shtet bërthamor,” tha Kadyrov.

“Amerika po zhvillon një politikë kundër Rusisë, kundër udhëheqjes së vendit,” shtoi ai.

“Ata e dinë se unë jam gati të jap jetën time për Rusinë dhe se kam një ushtri të mirë të aftë për të sulmuar dhe mbrojtur. Do të shohim se si gjërat shkojnë për të gjithë”.

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close