OSBE: Votimi i referendumit në Turqi jashtë standardeve
17/04/2017 - 17:22

Vëzhguesit ndërkombëtarë thanë të hënë se referendumi në Turqi kishte një “çekuilibër të rëndësishëm” duke dështuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe praktikat demokratike.

Ky është raporti i parë paraprak i OSBE dhe Asamblesë së Parlamentare të Këshillit të Evropës. Vëzhguesit ndërkombëtar hedhin dyshime mbi legjitimitetin e fitores së ngushtë të Presidentit Rexhep Taip Erdoan në përpjekje për të zgjeruar pushtetin e tij ekzekutiv.

Erdoan deklaroi fitoren në referendumin e së dielës me rreth 51.4 për qind të votave. Kreu i misionit të vëzhgimit të OSBE-së për referendumin në Turqi, Tana de Zulueta tha se para dhe gjatë procesit referendar janë shënuar probleme pothuajse në çdo fazë procesi, duke nisur me një lëvizje të fundit të Komisionit të Zgjedhjeve që vendosi të pranonte si të vlefshme fletët e votimit që ishin pa vulën përkatëse, duke ndryshuar rregullat në minutën e fundit.

“Mbrojtësit e fushatës Jo ishin të frikësuar për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që pas tentativës së grushtit të shtetit të vitit të shkuar, duke bërë që të ‘vetë-censurohen’”, tha ajo.

Gjithashtu, ajo përmendi edhe përdorimin e burimeve administrative të shtetit për të mbështetur fushatën pro dhe mungesën e informacionit të balancuar për votuesit.

Partia kryesore opozitare në Turqi, CHP, ka kërkuar që rezultati i referendumit të anulohet, duke përmendur një sërë parregullsish.

“Fletët e votimit u numëruan në fshehtësi për 90 minuta të dielën”, tha nënkryetari i CHP-së, Bulent Tezcan, duke shtuar se vendimi i Komisionit që administron zgjedhjet për të pranuar fletët e votimit erdhi në momentin kur vota “Jo” po mbizotëronte.

Partia opozitare pro kurde HDP, tha se zyrtarët e zgjedhjeve kryen një “grusht-shteti” dhe se ishte ndryshuar vullneti i 3 milionë votuesve.

/Ora News.tv/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shqipëria, i vetmi vend që përfshin në TVSH edhe biznesin e vogël

Close