Studimi - Ndryshimet klimaterike zhvendosën kohën e përmbytjes
11/08/2017 - 13:04 Nga: Xhoi Zajmi

Një studim i ri ka treguar se ndryshimet klimaterike kanë zhvendosur kohën e përmbytjes së lumenjve në Europë gjatë 50 viteve të fundit. Studimi gjithashtu sugjeron se ky ndryshim mund të ketë pasoja në ekosistemet e lumenjve dhe agrikulturën e vendeve. Përmbytjet e lumenjve janë një prej fenomeneve më të mëdha natyrore që çdo vit shkaktojnë miliarda dollarë dëme.

Sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Science, ndryshimet klimaterike kanë patur një ndikim të rëndësishëm në kohën e përmbytjes së lumenjve anembanë Europës gjatë 50 viteve të fundit.

Në disa rajone si Anglia jugore, përmbytjet ndodhin tashmë 15 ditë më herët se ç’ndodhnin krahasuar me një gjysmë shekulli më parë. Ndryshimet nuk janë uniforme, teksa lumenjtë përqark Detit të Veriut përmbyten me rreth 8 ditë vonesë. Përmbytjet e shkaktuara nga lumenjtë prekin njerëzit më shumë se çdo rrezik tjetër natyror dhe dëmet globale përllogariten në mbi 100 miliardë dollarë në vit.

Studiuesit prej kohësh kishin parashikuar se një botë më e ngrohtë do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në këto ndodhi, por deri më tani ka qenë e vështirë mbledhja e provave. Përmbytjet preken nga një sërë faktorësh përveç shirave, si sasia e lagështirës në dhé dhe ndryshimet në përdorimin e tokave. Ky studim i ri e trajton këtë çështje duke krijuar një databazë të gjerë nga vëzhgimet në stacionet hidrometrike të 38 vendeve, që prej 1960. Analiza gjen një ndikim të qartë por të ndërlikuar të ndryshimeve klimaterike në përmbytjet e lumenjve.

Ndryshimet më të qëndrueshme janë në Europën veri-lindore, ku bora që shkrin nga temperaturat e ngrohta çon në përmbytje më të hershme të pranverës.

Ndërkohë, ndryshimet më të mëdha vërehen në skajin perëndimor të Europës, nga Portugalia në Anglinë Jugore. Në këto rajone, problematika qëndron në dhéun e lagësht sesa në shkrirjen e dëborës.

Studimi parashikon ndikime të lehta por të rëndësishme që mund të vijnë për shkak të ndryshimit të kohës së përmbytjes, që mund të prekin ekosistemet e lumenjve, stacionet hidrometrike dhe agrikulturën e vendeve.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close