Londër - Makina godet turmën me njerëz pranë një xhamie, 1 i vdekur, 10 të plagosur
19/06/2017 - 7:22

Një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur pasi një furgon përplasi këmbësorët pranë një xhamie në veri të Londrës.

Ngjarja ndodhi vetëm pak minuta pas mesnatës, pranë Xhamisë së Finsbury Park.

Tetë persona janë çuar në spital pas sulmit, ndërkohë që drejtuesi 48-vjeçar i furgonit është arrestuar në vendngjarje me dyshim për vrasje në tentativë. Të gjithë personat e plagosur sipas policisë, i përkisnin fesë muslimane.

Dëshmitari okular Abdul Rahman tha se kishte dëgjuar shoferin të bërtiste ” do të vras të gjithë myslimanët”.

Pas një takimi me Komitetin e Emergjencave të qeverisë, kryeministrja Theresa May dënoi ashpër incidentin terrorist, që e konsideroi si një sulm ndaj muslimanëve në faltoren e tyre të shenjtë. May konfirmoi vendosmërinë për të mos toleruar më ekstremizmin dhe përgjegjësit për të tilla ndodhi.

Këshilli Musliman i Britanisë tha se furgoni i përplasi qëllimisht besimtarët muslimanë të pranishëm në xhami. Ata e denoncuan ngjarjen si një “manifestim të dhunshëm të islamofobisë” dhe kërkuan shtim të sigurisë përqark xhamive.

Udhëheqësi britanik i opozitës Jeremy Corbyn, ka thënë se është “krejtësisht i tronditur” nga ky incident.
Ky është sulmi i katërt në katër muaj në Britaninë e Madhe, pas incidenteve në Westminster, Manchester dhe Urën e Londrës.

  

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shqipëria, i vetmi vend që përfshin në TVSH edhe biznesin e vogël

Close