Parada - Macron: SHBA-në dhe Francën “nuk do t’i ndajë kurrë asgjë”
14/07/2017 - 20:07

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka qenë “nder i madh” për të, për të përfaqësuar SHBA-në në Paradën e Ditës së Bastilles në Paris. 

Dita Bastille është festë kombëtare në Francë, ndërsa këtë vit ka përkuar edhe me 100-vjetorin e hyrjes së SHBA-së në Luftën e Parë Botërore. 

Në një postim në Twitter, Trump tha se parada e trupave amerikane dhe franceze në Paris ka qenë “madhështore”. 

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në anën tjetër se SHBA-në dhe Francën “nuk do t’i ndajë kurrë asgjë”.

“Prania e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe e bashkëshortes së tij janë shenjë e një miqësie që ka vazhuar me kalimin e kohës. Dua t’i falënderoj ata, dua t’i falënderoj Shtetet e Bashkuara për zgjedhjen që kanë bërë 100 vjet më parë”, tha Macron.

Trump dhe Zonja e Parë, Melania, kanë qëndruar dy ditë në Paris.

Të enjten, Trump dhe Macron kanë zhvilluar një takim zyrtar, gjatë të cilit është folur për luftën kundër terrorizmit, marrëveshjen për klimën e të tjera./REL/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Xhaçka pret homologun kosovar: Mbështetje për integrimin në NATO

Close