Takimi në kullën Trump - Lobisti rus: Trump Jr. mori informacione dëmtuese për Clinton
15/07/2017 - 10:28 Nga: Xhoi Zajmi

Lobisti rus Rinat Akhmetshin ka konfirmuar për mediat amerikane se ai ka qenë pjesë e takimit të djalit të presidentit Trump me një avokate ruse. Sipas tij, Trump Jr. ka marrë informacione dëmtuese për Hillary Clinton, ndërkohë që djali i Presidentit nuk e pohon një gjë të tillë. Senati amerikan ka kërkuar që Trump Jr. të dëshmojë publikisht, teksa takimi shihet si prova më e fortë e ndërhyrjes ruse në fushatën presidenciale amerikane.

Vijojnë të zbulohen detaje të reja nga takimi i vitit të kaluar mes djalit të Presidentit Donald Trump dhe ndihmësve të tij me avokaten ruse Natalia Veselnitskaya.

Rinat Akhmetshin, një ish-zyrtar sovjetik i kundërzbulimit, tashmë lobist, konfirmoi për mediat amerikane se ai ishte prezent në takimin e zhvilluar në Kullën Trump.

Deri më tani dihet se në këtë takim kanë marrë pjesë, Donald Trump Jr., Jared Kushner, menaxheri i fushatës së Trump Paul Manafort, avokatja ruse Natalia Veselnitskaya, lobisti Akhmetshin dhe publicisti Rob Goldstone, i cili ndihmoi në organizimin e takimit.

Në këtë mbledhje, djalit të Presidentit, Donald Trump Jr. iu premtua t’i dorëzoheshin materiale dëmtuese për Hillary Clinton, siç tregojnë edhe email-et e tij.

Por Trump Jr. është shprehur se avokatja ruse kishte diskutuar një program të pezulluar për amerikanët që duan të adoptojnë fëmijë rusë.

Por zoti Akhmetshin u shpreh për mediat amerikane se zonja Veselnitskaya informoi Trump Jr. se ajo dispononte materiale për fonde të paligjshme në Komitetin Kombëtar Demokrat.

Komiteti Gjyqësor i Senatit amerikan i ka kërkuar djalit më të madh të Presidentit të dëshmojë publikisht, pasi disa panele kongresionale dhe hetues federal po shqyrtojnë pretendimet se Rusia ndërhyri në zgjedhjet e vitit të kaluar në SHBA.

Ky takim shërben si dëshmia më e fortë e shkëmbimeve jo-diplomatike mes figurave ruse dhe ndihmësve të fushatës së Trump.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close