Siguria - Ligji anti-terror, parlamenti japonez miraton amendimet e diskutueshme
15/06/2017 - 10:19 Nga: Xhoi Zajmi

Parlamenti japonez ka miratuar një ligj të ri anti-terror që i jep autoriteteve kompetenca gjithëpërfshirëse në monitorimin e komploteve terroriste. Kritikët argumentojnë se ligji mund të abuzohet duke vëzhguar edhe qytetarë të pafajshëm, por qeveritarët thonë se kjo masë është e nevojshme për të përmirësuar sigurinë në vend.

Ligjbërësit japonezë kanë miratuar një projektligj të diskutueshëm që i lejon autoriteteve të shënjestrojnë komplotet terroriste.

Blloku qeverisës i kryeministrit Shinzo Abe e kaloi projektligjin në dhomën e lartë të parlamentit, pavarësisht kundërshtive të mëdha.

Qeveria argumenton se ligji nevojitet për të përmirësuar sigurinë përpara Lojërave Olimpike të vitit 2020 si dhe për t’iu përmbajtur një marrëveshjeje të Kombeve të Bashkuara që Japonia e ka nënshkruar.

Sidoqoftë, kritikët argumentojnë se kjo dobëson liritë civile dhe mund të abuzohet për të monitoruar dhe shënjestruar qytetarë të pafajshëm.

Ligji i ri që kriminalizon planifikimin dhe kryerjen e 227 akteve, amendon një ligj ekzistues kundër sindikatave të krimit të organizuar.

Gjithashtu ndalon prokurimin e fondeve ose furnizimeve dhe vëzhgimin e një vendngjarjeje në përgatitjen e një prej këtyre veprave penale.

Një grup i tërë mund të akuzohet nëse të paktën një anëtar zbulohet se ka qenë duke planifikuar një krim.

Edhe pse qeveria ka premtuar se ligji i ri nuk do të përdoret padrejtësisht, kritikët mbeten ende të pabindur.

Ata thonë se ligji i jep autoriteteve kompetenca gjithëpërfshirëse, pasi konsideron si krim edhe akte që nuk janë të lidhura me terrorizmin dhe krimin e organizuar, si mbledhja e kërpudhave në pyje të mbrojtura që renditet si krim në ligjin e ri.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Bota arabe kushtëzon Katarin

Close