Asambleja vjetore e OKB - Liderët botërorë mblidhen në Nju Jork, me interes fjalimi i Trump në OKB
18/09/2017 - 8:28

Udhëheqësit botërorë do të mblidhen sot në Nju Jork, ku nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pjesa më e madhe e vëmendjes do të jetë te presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do t’i adresohet këtij tubimi për herë të parë më 19 shtator.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të ketë po ashtu paraqitjen e parë si udhëheqës kombëtar.

Në mesin e atyre që nuk do të marrin pjesë janë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Të dy kanë dërguar ministrat e tyre të jashtëm.

Udhëheqësit pritet të përqendrohen në disa nga pikat më të nxehta në botë, ku prioritet përbën Koreja e Veriut me programet e saj me raketa bërthamore dhe balistike.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe gati të gjitha shtetet individuale kanë dënuar provat raketore të Phenjanit. E fundit ka ndodhur më 15 shtator, kur Koreja e Veriut ka hedhur një raketë balistike që ka fluturuar mbi Japoni.

Këshilli i Sigurimit e ka cilësuar këtë si veprim “shumë provokues” dhe “të egër”. Megjithatë, nuk ka ende pajtim se si duhet ndëshkuar Phenjanin.

Udhëheqësit botërorë përballen po ashtu me krizën humanitare të mbi 400,000 myslimanëve Rohingya, të cilët kanë ikur nga dhuna në Mianmar dhe kanë hyrë në Bangladesh.

Udhëheqësja de facto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa po kritikohet se nuk ka vepruar për të ndalur dhunën. Megjithë mungesën e saj, janë planifikuar të zhvillohen dy takime të nivelit të lartë të OKB-së për këtë krizë në rritje.

Mendohet se udhëheqësit botërorë do të përpiqen gjithashtu të bindin Presidentin Trump të mos tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2015 që synon ta pengojë Iranin të përftojë bomba bërthamore. Ai e ka quajtur marrëveshjen “të tmerrshme” dhe ka kërcënuar se do ta prishë.

Terrorizmi dhe ngrohja globale pritet të jenë po ashtu subjekt i diskutimeve të nxehta dhe mosmarrëveshjeve midis liderëve botërorë.

Udhëheqësit botërorë do të diskutojnë edhe për uraganin Irma, që rrënoi pjesë të Karaibeve dhe Floridës. Ata do të përqëndrohen tek reagimi ndaj uraganeve, si dhe tek ndërtimi i komuniteteve që t’i përballojnë më mirë katastrofat natyrore dhe ndryshimet klimatike.

Disa mendojnë se ndoshta uraganët Irma dhe Harvey do ta bindin Presidentin Trump për të anuluar vendimin e tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja e Parisit për klimën, e cila tashmë është firmosur nga 190 vende.

Në të kaluarën, Trump ka qenë kritik i zëshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ndihmësit e tij thonë se ai do të bëjë thirrje për “reformim të OKB-së”, duke iu kërkuar anëtarëve të kontribuojnë më shumë në projekte globale, përfshirë operacionet paqeruajtëse, të cilat kushtojnë rreth 8 miliardë dollarë në vit. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i zhvillon punimet deri më 25 shtator.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Shqipëria, i vetmi vend që përfshin në TVSH edhe biznesin e vogël

Close