Amatriçe - Kryebashkiaku përzë turistët: “JO selfie në gërmadhat e shtëpive tona!”
19/04/2017 - 13:32 Nga: Alba Kepi

“Jo selfie në gërmadhat e shtëpive tona” është thirrja e zemëruar, lëshuar gjatë orëve të fundit, nga Sergio Pirozzi, kryetari i Bashkisë së komunës së Amatrices në Itali, qytezë e cila u shkatërrua plotësisht nga tërmeti i 24 gushtit e që shkakoti mbi 300 viktima.

Gjatë ditëve të festës së Pashkëve, në këtë qytezë mbërritën për ta vizituar ish-banorë të saj të mbijetuar nga tragjedia, por dhe mjaft turistë.

Përgjatë vizitës së heshtuar në gërmadhat e shtëpive, ndërtesave, shkollave, kishave e rrugëve të dikurshme, apo të asaj çka ka mbetur nga qyteza e dikurshme e Amatrices, shumë turistë nxituan të bënin selfie për ta postuar menjëherë si trofe në rrjetet sociale.

Një skenë e tillë ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të kryetarit të Bashkisë së Amatrices, i cili ka kërkuar largimin e menjëheshëm të turistëve të selfit nga territori i qytezës.

“Nëna e budallenjve është gjithmonë shtatëzënë”, ka deklaruar për mediat italiane Sergio Pirozzi, ndryshe do të ishim të gjithë njëlloj e njerëzimi nuk do të kishte probleme. Por durimi ka dhe një kufi, përballë gërmadheve, kujtimeve, dhimbjes së fortë, dikush argëtohet duke bërë selfie e zemërimi nuk mban më. Kam përzënë personalisht turistë e të rinj që fotografonin veten me sfondin e shtëpive tona të rrënuara e nëse vijnë të tjerë për të bërë selfie do t’i largoj përsëri. Këta janë turistët e dhimbjes. I përzura në mënyrë të keqe, është një mungesë respekti që kush është i lidhur me këtë territor nuk do ta lejonte kurrë.”

“Ju lutem mos hajdeni në Amatrice për të bërë selfie” është thirrja e zemëruar e numrit një të kësaj qyteze”.

“Gërmadhat dhe në nivel pamor janë një traumë e vazhdueshme për këdo që ka jetuar atë natë, për këdo që njeh mirë këtë territor, janë një traumë psikologjike e përhershme. Uroj që të nisi sa më shpejt puna për të hequr, gurët, hekurat, gërmadhat e për të nisur ndërtimi i një Amatrice të re”, ka deklaruar Sergio Pirozi, kryebashkiaku i kësaj komune nga më të dëmtuarat e me numrin më të madh të viktimave nga tërmeti i 24 gushtit që goditi Italinë Qëndrore.

Kërkesa e kryetarit të Bashkisë së Amatrices, ka gjetur solidaritetin e plotë dhe të Presidentit të Rajonit të Lacios Nicola Zingaretti.

“Tragjeditë nuk janë një suvenir”, është shprehur ai.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
“Fetucini me fileto pule dhe kerpudha”

Close