Moske - Ju prezantojmë “Babain e të gjitha bombave’. Rusja më e fuqishme se amerikania
21/04/2017 - 11:07 Nga: Enkeleda Danaj

Prodhuar në Rusi më 2007, “babai i të gjitha bombave” mund të mbajë një titull që nuk e ka tejkaluar askush tjetër deri tani.

Ushtria ruse thotë se është bomba më e fuqishme termobare e këtij lloji, katër herë më e fuqishme se amerikania e konsideruar si”nëna e të gjitha bombave”, bomba më e madhe jo-bërthamore në arsenalin amerikan dhe bomba më e madhe jo-nukleare që Shtetet e Bashkuara kanë përdorur ndonjëherë në luftime.

Bazuar në specifikimet që ushtria ruse ka publikuar, analistët thonë se Rusia mund të ketë të drejtë.

“Ne besojmë se është e vërtetë,” tha koloneli i dalë në pension Rick Francona, analist ushtarak dhe ish-atasheu ushtarak amerikan në Siri. “Rusët kanë qenë ndër pionierët e këtyre bombave termobare. Nuk kam asnjë dyshim se ata mund ta prodhojnë një të tillë, sepse i kanë aftësitë teknologjike për ta bërë këtë gjë ” tha Francona.
“Nëse të dhënat e raportuara janë të vërteta, atëherë ajo është bomba më e fuqishme jo-nukleare në botë”, tha koloneli i dalë në pension Cedric Leighton, analist ushtarak dhe ish-anëtar i Shefave të Përbashkët të Shtabit.

“Babai i të gjitha bombave” nuk është përdorur kurrë në luftime.

“Ajo është një bombë termobarike, që do të thotë se ngarkesa e saj shpërthen në temperatura shumë më të larta,” tha Leighton. “Rezultati është se gjërat e gjalla brenda zonës së shpërthimit avullojnë, duke e bërë atë një armë spektakolare dhe të tmerrshme në të njëjtën kohë”.

Rusia njoftoi se bomba u provua për herë të parë në vitin 2007.

Në një transmetim kombëtar që u transmetua më 11 shtator 2007, zëvendës shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura Ruse në atë kohë, Aleksandër Rukshin, tha se testi i parë i një bombe të re, e aftë për të dërguar valë tronditëse me fuqinë e një bombe bërthamore, u përfundua.

“Rezultatet e testeve kanë treguar se me efikasitetin dhe aftësitë e saj, kjo bombë mund të krahasohet me një armë bërthamore “, tha Rukshin.

“Në të njëjtën kohë, unë veçanërisht dua të theksoj se ndikimi nga ky municion nuk ndot mjedisin në asnjë mënyrë në krahasim me një municion bërthamor”, shtoi ai.
Mediat shtetërore ruse, pohojnë se bomba është katër herë më e fuqishme se bomba amerikane e konsideruar si “nëna e gjithë bombave”, me fuqi shpërthyese ekuivalente me 44 ton, krahasuar me 11 ton që është bomba amerikane. Gjithashtu, thuhet se bomba ruse është më e lehtë, duke peshuar 7,100 kilogramë, krahasuar me 8,200 kilogram që peshon bomba amerikane, ndërsa rrezja e saj shpërthyese është dyfishi i bombës amerikane.
Megjithatë, Leighton tha se analiza e kryer nga grupi i tij ngre disa pikëpyetje nëse shpërthimi i treguar në video është prodhuar nga bomba ruse apo jo.

Redaktori i revistës ruse Mbrojtja Kombëtare, Alexander Mozgovoy, tha se beson se videoja e televizionit rus është e saktë dhe ai mendon se Rusia mund të ketë prodhuar më shumë se një bombë të tillë, ashtu si Shtetet e Bashkuara kanë prodhuan disa.

“Unë nuk mendoj se ka vetëm një bombë të këtij lloji, por definitivisht jo shumë prej tyre,” shtoi ai, pasi kjo bombë nuk lë asgjë të gjallë, ajo kthen gjithçka në hi”.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
Basha mbledh me urgjencë aleatët në selinë e PD-së

Close