Ish-presidenti i Brazilit dënohet me 9 vite burg, akuzohet për korrupsion
12/07/2017 - 22:10 Nga: Xhoi Malësia

Ish-Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula, është dënuar me 9 vite e gjysmë burgim mbi akuzën e korrupsionit, ndërsa mendohet se ka përfituar një apartament luksoz nga kompania gjysmë-shtetërore e naftës, Petrobras. Pritet që verdikti paraprak të apelohet në një shkallë më të lartë të gjyqësorit, ndërkohë që përgjatë kësaj kohe, Lula do të procedohet në gjendje të lirë. Ish-Presidenti gëzonte reputacion pozitiv për një pjesë të popullsisë, por figura e tij është goditur rëndë në vitet e fundit për shkak të një sërë skandaleve.

Gjykata e Brazilit ka dënuar me 9 vite e gjysmë heqje lirie ish-Presidentin e vendit, Luiz Inacio Lula, pasi ka pranuar akuzat për korrupsion të paraqitura nga Prokuroria në lidhje me rastin e kompanisë gjysmë-shtetërore të naftës Petrobras.

Trupa gjykuese pasi dha vendimin ka lejuar procedimin e Lulës në gjendje të lirë, ndërkohë që ky i fundit pritet t’a apelojë verdiktin në një shkallë më të lartë të gjyqësorit.

Në një deklaratë të bërë së fundmi, ish-Presidenti tha se është i pafajshëm, ndërkohë që e cilësoi procesin si të motivuar politikisht nga kundërshtarët e tij.

Për t’u theksuar është fakti se deri më tani Gjykata ka shqyrtuar vetëm një nga pesë akuza që rëndojnë mbi të.
Luiz Inacio Lula ka shërbyer si President i vendit për tetë vite, ndërkohë që kishte shprehur ambicien për të garuar sërish në zgjedhjet presidenciale që në Brazil do të mbahet vitin e ardhshëm.

Atij i atribuohen një sërë meritash përfshirë rritjen e konsiderueshme ekonomike të vendit si dhe nxjerrjen e miliona njerëzve nga varfëria ekstreme.

Megjithatë, në vitet e fundit figura e Lulas është goditur nga një sërë skandalesh në skenën e trazuar politike të Brazilit.

Në qytetet më kryesore ka patur protesta dhe kundërprotesta të njerëzve që e mbështesin si dhe të të tjerëve që e kundërshtojnë.

Ekspertët shprehen se Lula është ende një politikan i dashur për miliona qytetarë dhe se vendimi i fundit i Gjykatës do të sjellë ndasi në popullin brazilian.

Tashmë pritet të shihet se çfarë vendimi do të merret në seancën apeluese.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close