France - Makina përplas ushtarët në Paris, hetohet si akt terrorist
09/08/2017 - 14:20

Gjashtë ushtarë francezë kanë mbetur të plagosur, dy prej tyre në gjendje serioze, pasi një makinë i ka marrë përpara mëngjesin e sotëm në komunën Levallois-Perret, në veriperëndim të Parisit.

Autoritetet thonë se policia po vijon operacionin për gjetjen e automjetit tip BMW me të cilin është kryer sulmi, ndërkohë që gjithashtu në kërkim është edhe shoferi i mjetit.

Në këtë operacion është përfshirë edhe njësia e anti-terrorit, e cila po e heton ngjarjen si një akt terrorist.

Sipas kryebashkiakut të komunës, Partrick Balkany, sulmi ndodhi rreth orës 08:15 referuar kohës lokale, jashtë kazermës ushtarake të vendosur në këtë zonë. Balkany gjithashtu tha se makina kishte qëndruar në rrugë, duke pritur ushtarët të dilnin për të marrë turnin. Ai e cilësoi sulmin si të neveritshëm dhe akt të paramenduar.

Sakaq, Franca mbetet në gjendjen e emergjencës që prej nëntorit 2015, pas një serie sulmesh ku më shumë se 230 persona janë vrarë. Forcat e shtuara të sigurisë në rrugë janë tashmë një pamje e zakonshme për banorët francezë.

 


 

 

/Oranews.tv/ 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close