FBI heton “në mënyrë komplekse” ndërhyrjet ruse në zgjedhjet amerikane
20/03/2017 - 15:58 Nga: Anjola Hamzaj

FBI ka nisur hetimet për ndërhyrjen e mundshme të Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, ndërhyrje e cila sipas demokratëve ka favorizuar edhe fitoren e Republikanit Donald Trump.

Lajmi u bë i ditur nga kreu i  këtij institucioni James Comey në seancën e jashtëzakonshme të komisionit të inteligjencës në Kongresin Amerikan.

Comey tha se po hetohet çdo lidhje mes fushatës së Trump dhe qeverisë ruse, qoftë kjo edhe në nivel individual, por nuk dha detaje se në çfarë pike janë hetimet apo cilët individë ndodhen në shënjestrën e hetuesve.

“Jam autorizuar nga Departamenti i Drejtësisë për të konfirmuar se FBI, si pjesë e misionit të kundërzbulimit, po heton përpjekjet e qeverisë ruse për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të 2016. Kjo do të thotë hetim ndaj çdo lloj lidhje të çdo individi që ka punuar në fushatën e Trump me qeverinë ruse dhe nëse kishte ndonjë  koordinim mes fushatës dhe përpjekjeve të Rusisë. Ashtu si në  çdo hetim të  kundërzbulimit,  kjo do të përfshijë edhe vlerësimet për kryerje krimesh. Hetimi është i hapur dhe në vijim, ndaj dhe nuk mund të them më shumë mbi punën tonë apo edhe individët që janë nën hetim”.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme dhe dëshmisë së Comey, presidenti Donald Trump ka reaguar në Twitter, duke e quajtur çështjen me Rusinë nja lajm të rremë.

James Clapper dhe të tjerë deklaruan se nuk ka prova që presidenti të këtë komplotuar me Rusinë. Të gjithë e dinë që ky është një lajm i rreme.

Po kontaktet e fushatës së Klinton me Rusinë? A është e vërtetë që Komiteti Kombëtar i demokratëve nuk lejon FBI të hetojë?

Sa i përket akuzave të presidentit Donald Trump se administrata e Obama ka përgjuar atë në kullën e tij para gjatë dhe pas zgjedhjeve, Comey tha se nuk kishte asnjë provë që mbështetet akuzat e Trump.

“Në lidhje me Twitter-at e presidentit për përgjimin e dyshuar ndaj tij të drejtuar nga administrata e kaluar, unë nuk kam asnjë informacion që mbështet këto akuza. FBI ka hetuar me kujdes të veçantë për këtë heshtje. Departamenti i Drejtësisë gjithashtu më kërkoi të ndaj me ju këtë përgjigje, pasi edhe departamenti mendon të njëjtën gjë; nuk ka prova dhe asnjë informacion që mbështesin akuzat e presidentit”.

 

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
“Fetucini me fileto pule dhe kerpudha”

Close