Euroja mund të zhduket pas 10 vitesh
11/01/2017 - 17:05 Nga: Anjola Hamzaj

Euro mund të mos ekzistojë pas dhjetë vitesh nëse Parisi dhe Berlini nuk arrijnë të nxisin bashkimin e monedhës së përbashkët.

Parashikimi është bërë nga kandidati për president i Francës Emmanuel Macron, i cili shtoi se sistemi aktual i ka dhënë benefite Gjermanisë në kurriz të vendeve të dobëta.

Ish-ministri  i Ekonomisë nën presidencën e Hollandë, i cili dha dorëheqjen për të krijuar lëvizjen e tij politike dhe për të kandiduar në presidenciale i pavarur, gjatë një fjalimi në universitetin Humboldt në  Berlin tha se euro është e pa kompletuar pa reforma të mëdha.

“Në rregullat e saj nuk i ka dhënë Evropës sovranitet të Plotë ndërkombëtar kundrejt dollarit. Nuk i ka dhënë Evropës një konvergjencë të natyrshme mes shteteve të ndryshme anëtare”, tha ai, duke shtuar se “Franca duhet të zbatojë reformat e tregut të punës dhe të ristrukturojë sistemin e saj arsimor për të ringjallur rritjen ekonomike, ndërkohë që Gjermania duhet të pranojë se më shumë investime në vend të masave shtrënguese për të nxitur  rritjen në të gjithë zonën e eurozonës”.

“Më duhet të them që mosfunksionimi i euros po përdoret nga Gjermania”, tha Macron, duke shtuar se mungesa e besimit mes Francës dhe Gjermanisë ka çuar ne bllokimin e reformave të mëdha, të cilat do të rrisnin solidaritetin ndërmjet 19 anëtarëve të eurozonës. Ai propozoi krijimin e një buxheti të zonës euro për të financuar investimet e rritjes dhe  zgjerimin e ndihmës financiare për të luftuar shtetet anëtare.

Por kjo do  ishte një anatemë për kancelaren gjermane Angela Merkel dhe ministrin e Financave, Wolfgang Schauble, të cilët jo vetëm që  përballen me zgjedhje këtë vit, por edhe me një rezistencë të brendshme për ndihmat në Greqi dhe çështjet financiare brenda eurozonës.

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Njësia elitë amerikane që do të vrasë Kim Jong-un?

Close