Erdogan kërcënon se do të padisë "The Times"

Erdogan kërcënon se do të padisë  "The Times"

Kryeministri turk, Recep Tayyip Erdogan, ka kërcënuar me veprime ligjore kundër gazetës britanike "The Times", pasi ajo publikoi një letër të hapur, ku kritikonte mënyrën se si i trajtoi ai protestat e fundit në vend. Erdogan akuzoi  gazetën se "jep faqet e saj me qira për para".

Personalitete  të Hollywood dhe akademikë kanë qenë mes atyre, që kanë nënshkruar letrën këtë javë, që akuzon qeverinë turke për "sundim diktatorial".

Një debat mbi një park në Stamboll, muajin e kaluar, shkaktoi protesta antiqeveritare në të gjithë vendin. Të paktën 4 persona u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën, pasi policia u ndesh me demonstruesit, të cilët akuzuan Erdogan se po bëhej gjithnjë e më shumë autoritare.

"Shtypi kërkon të hedh baltë, për të parë nëse mund t'ia dalë mbanë", tha Erdogan për reporterët, në një bashkëbisedim në kanalin turk NTV. "The Times jep me qira faqet e saj për të fituar para. Ky është dështimi i saj. Ne do të shfrytëzojmë hapësirat ligjore ndaj tyre".

Erdogan tha se ata që kanë nënshkruar letrën, e publikuar si një publicitet në faqe të plotë, kanë "dhënë me qira mendimet e tyre" dhe nuk e kanë mbështetur me të vërtet demokracinë. "Nëse ata besojnë me të vërtet në demokraci, ata nuk do të mund të shfaqnin këtë mungesë karakteri për të quajtur një lider të një partie, që fitoi 50% të votave popullore, një diktator", tha kryeministri turk.

Gazeta "The Times" nuk i është përgjigjur deri më tani deklaratave të kryeministrit Erdogan.

Letra e hapur u nënshkrua nga 30 persona, përfshi pianistin turk, Fazil Say, yjet e kinematografisë amerikane, Sean Penn dhe Susan Sarandon, regjisorin e filmave, David Lynch, dhe historiani britanik, David Starkey.

EMISIONET