Emergjenca - Edhe Italia nën flakë, zjarret përveçse nga i nxehti edhe të qëllimshme
13/07/2017 - 13:01 Nga: Alba Kepi

Edhe Italia është përfshirë gjatë orëve të fundit nga rreziku i zjarreve. Mbi 1200 vatra zjarresh janë regjistruar në territorin qëndror e jugor së Italisë duke shkaktuar djegjen e dhjetra hektarëve tokë e pyje.

Deri më tani mbi 500 vatra zjarri janë regjistruar në rajonin e Siçilisë, 260 në rajonin e Puglias, 250 në Kalabri e Kampania, 190 në rajonin e Lacios.

Sipas zyrës së Mbrojtjes Civile, harta e zjarreve e këtyre ditëve ka regjistruar rekordin e 10 viteve të fundit.

Trupa e forcave të rendit, të ushtrisë, të rojes pyjore e të zjarrëfikësve janë aktivizuar me mjete ajrore e tokësore për shuarjen e vatrave të zjarrit e për t’i ardhur në ndihmë popullsië së zonave.

Alarmuese paraqitet gjëndja në ishullin e Siçilisë, ku për shkak të zjarrit që përfshiu zonën pyjore në komunën San Vito janë evakuuar nga deti rreth 600 pushues të një hoteli turistik.

10 prej pushuesve kanë marrë ndihmë mjekësore për shkak të intoksikimit nga tymi.

Dramatike paraqitet dhe situata përreth vullkanit Vezuvio në rajonin e Kampanias ku rreth 200 hektar tokë vegjetale është djegur nga flakët e zjarreve.

Por jo vetëm temperaturat e larta të ditëve të fundit e thatësira janë shkaqet e këtyre vatrave zjarri.

Mjaft prej tyre janë zjarre të qëllimshme të shkaktuara deri më tani nga persona ende të pa identifikuar.

Prokuroria e Napolit ka hapur një proçes hetimor ndaj disa vatrave të zjarrit në territorin përreth Vezuvios e në disa komuna përreth, duke u dokumentuar me imazhe e video të territorit.

Edhe Prokuroritë e Palermos, Katanias e Enna-s kanë nisur proçese hetimore për zjarre të qëllimshme të verifikuara në territorin e komunave të tyre.

/Oranews.tv /

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Shtëpia parajsore!

Close