De Maiziere: Turqia duhet të sqarojë kritikat
18/04/2017 - 20:08

Presidenti i Turqisë Erdogan ka hedhur poshtë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë. Ndërsa ministri i Brendshëm gjerman kërkon shpjegime. Problemet me integrimin e turqëve në Gjermani.

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière ka kërkuar nga Turqia që të sqarojë kritikat e vëzhguesve ndërkombëtarë për manipulime në referendum. “Tani duhet të shpjegohet shpejt nëse vërtet votimi ka kaluar në një atmosferë fer dhe të pastër – nëse në Turqi mund të flitet për kushte normale”, tha politikani i CDU, për gazetën “Rheinische Post”.

De Maizière shpreson se qeveria turke do të jetë “aq e arsyeshme” sa të evitojë përshkallëzimin e mëtutjeshëm të gjendjes, sepse gati gjysma e votuesve ishin kundër ndryshimeve kushtetuese. Duke folur për numrin e madh të votuesve turq në Gjermani, që i thanë “po” ndryshimeve, ministri i Brendshëm tha: “Unë pres që pikërisht turqit që jetojnë në Gjermani të marrin pjesë në një debat konstruktiv për të ardhmen e përbashkët.” 2Një përplasje tjetër mes kulturave tona nuk guxon të ketë.”

Özdemir: “Na duhet një ofensivë për integrim”

Kryetari i ekologjistëve Cem Özdemir deklaroi për “Passauer Neuen Presse”, se votimi i turqëve në Gjermani e ka tmerruar. “Ne kemi nevojë për një ofensivë për integrim më të mirë”, theksoi ai. Tani po na hakmirren lëshimet e CDU-së dhe SPD-së nga vitet e kaluara, mendon ai. Özdemir ka kërkuar në një deklaratë për gazetën “Bild” nga turqit që jetojnë në Gjermani që të deklarohen për vlerat e vendit ku jetojnë. “Njeriu duhet të respektojë vlerat dhe Kushtetutën e vendit tonë ku jetojmë, nëse duam të jemi të lumtur këtu”.

Komisioni zgjedhor në Turqi ka konstatuar se 63,1 % e votuesve turq në Gjermani kanë votuar për ndryshimet kushtetuese, ndërkohë që numri i përgjithëm ishte 51,4 %. Kjo do të thotë se në Gjermani ka qenë përqindja shumë më e madhe e atyre që kanë mbështetur Erdoganin. Vëzhguesit e OSBE-së kanë shprehur rezerva ndaj votimit, për shkak të parregullësive të shumta gjatë procesit zgjedhor. Të njëjtat kritika janë dëgjuar edhe nga Këshilli i Evropës. Vëzhguesit kanë kritikuar Erdoganin për “keqpërdorimin e resurseve shtetërore”.

Ndërsa Erdogan i ka quajtur “jo serioze kritikat dhe raportet e vëzhguesve”. “Vendi ka pasur votim demokratik  më të mirë se në të gjitha vendet tjera perëndimore”, tha ai./DW/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
BOOM: Kalvari në gjykata i inspektores se AKU. U shkarkua 3 herë

Close