Vendimi i papritur - Britania në zgjedhje të parakohshme. May: Na duhen tani
18/04/2017 - 12:13 Nga: Xhoi Malesia

Në një dalje krejtësisht të papritur që ka tronditur skenën politike të Britanisë, Kryeministrja Theresa May, ka bërë të ditur vullnetin e saj për ta dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, me arsyetimin se qeveria po has pengesa nga opozita për të realizuar një dalje të suksesshme nga Bashkimi Europian.

Shefja e ekzekutivit do ta dërgojë propozimin e saj për votim në Parlament ditën e Mërkurë dhe miratimi ose refuzimi i aktit do të varet nga vota e deputetëve.

“Sapo kam drejtuar një mbledhje të kabinetit, ku ramë të gjithë dakord se vendi duhet të thërrasë zgjedhjet e parakohshme të cilat sipas propozimit tonë do të mbahen në 8 Qershor. Britania ka marrë një vendim për t’u larguar nga BE-ja dhe tashmë nuk ka kthim pas. Megjithatë, kundërshtarët tanë mendojnë se nisur nga fakti që qeveria ka një shumicë jo dominante, do të arrijnë të na dobësojnë dhe do të na bëjnë që të ndryshojmë kursin tonë. Ata janë gabim pasi po nënvlerësojnë vendosmërinë tonë për ta përfunduar këtë punë. Jam e përfatitur që të mos i lë ata të vendosin në pikëpyetje sigurinë e miliona qytetarëve punëtorë në mbarë vendin.”

Vendimi i Kryeministres, Theresa May, është mbështetur menjëherë edhe nga lideri i opozitës, Jeremy Corbyn.

Përmes një deklarate, kreu i laburistëve tha se e mirëpriste lëvizjen e shefes së ekzekutivit britanik për t’u dhënë qytetarëve shansin që të zgjedhin një qeveri e cila vendos interesat e tyre në plan të parë.

Ai bëri gjithashtu të ditur se Partia Laburiste do të prezantojë një alternativë të re, kundër qeverisë aktuale që sipas tij, ka dështuar në rindërtimin e ekonomisë, ka sjellë ulje të standartit të jetësës, si dhe ka reduktuar shpenzimet për shkollat.

Për t’i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, Kryeministrja Theresa May duhet të marrë mbështetjen e dy të tretave të parlamentit dhe nisur nga deklarata e Corbyn, duket se laburistët do t’a përkrahin nismën e saj.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Artikull i Rekomanduar:
BOOM: Kalvari në gjykata i inspektores se AKU. U shkarkua 3 herë

Close