BE i jep Hungarisë ultimatum për ligjin e arsimit
13/07/2017 - 16:13

Bashkimi Evropian i ka dhënë Hungarisë një muaj kohë për t’i adresuar shqetësimet për një ligj të arsimit, i cili thuhet se është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së.

Nëse Budapesti nuk vepron, blloku do të procedojë me masa ligjore, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Frans Timmermans.

Në muajin prill, Hungaria ka miratuar një ligj, i cili, sipas kritikëve, ka për qëllim mbylljen e Universitetit të Evropës Qendrore në Budapest.

Ky universitet financohet nga filantropisti George Soros, ndërsa nga mbështetësit e kryeministrit hungarez, Victor Orban, shihet si bastion i opozitës liberale.

Në bazë të ligjit, universitetet e huaja duhet të kenë kampus dhe të ofrojnë kurse të ngjashme në vendin e tyre të origjinës.

“Presim një reagim të autoriteteve hungareze brenda një muaji”, tha Timmermans.

“Nëse përgjigjja nuk është e kënaqshme, Komisioni mund të vendosë të shkojë në gjykatë”, tha ai./REL

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Xhaçka pret homologun kosovar: Mbështetje për integrimin në NATO

Close