Brexit - Apeli i Blair për BE: Të tregohen fleksibël për lëvizjen e lirë
15/07/2017 - 12:02 Nga: Xhoi Zajmi

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, është shprehur se liderët e Bashkimit Europian mund të tregohen fleksibël sa i përket marrëveshjes së palëve për lëvizjen e lirë pas Brexit. Për gjigandin BBC, Blair u shpreh se Britania mund të qëndrojë në një BE të reformuar dhe se dalja nga tregu i përbashkët është një pozicionim i dëmshëm për vendin.

Disa liderë të Bashkimit Europian mund të jenë të përgatitur të tregohen fleksibël në lëvizjen e lirë të njerëzve, për ta ndihmuar Britaninë të qëndrojë në tregun e përbashkët.

Kështu shprehet ish-kryeministri britanik, Tony Blair, për programin ‘Today’ në rrjetin BBC. Një mundësi sipas tij është që Britania të qëndrojë në një Bashkim Europian të reformuar, një program që vetë Europa tashmë po shqyrton.

Qeveria këmbëngul se Brexit do t’i japë Mbretërisë së Bashkuar kontroll më të madh të kufinjve të saj, por Blair argumenton se situata në Europë ka ndryshuar krahasuar me një vit më parë.

Kryeministrja aktuale, Theresa May, është zotuar të mbajë nën kontroll emigrimin në Bashkimin Europian dhe ka përsëritur angazhimin e saj për uljen e migracionit neto në disa dhjetëra mijëra persona.

Por kryenegociatori i unionit Michel Barnier është shprehur se lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, pra parimet kyçe të tregut të përbashkët, janë të pandashme, e për këtë arsye Britania nuk mund të qëndrojë në tregun e përbashkët.

Ish-kryeministri Blair e sheh si dëmtues këtë pozicionim të vendit. Ai nxiti lidershipin e Partisë Laburiste të përkrahë një pikëpamje radikalisht të ndryshme për Europën.

Blair gjithashtu është ndalur edhe në një analizë të zgjedhjeve të përgjithshme në Britani. Ish-kryeministri argumentoi se humbja e konservatorëve ishte vota e qytetarëve për të ndaluar një Brexit të rëndë dhe për të refuzuar mandatin që Theresa May po kërkonte.

/Oranews.tv/

 

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Xhaçka pret homologun kosovar: Mbështetje për integrimin në NATO

Close